Sami Lushtaku dhe të tjerët në gjykatë për kërcënim

Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh, në vitin 2012 ka ngritur aktakuzë me të cilën i akuzonte Sami Lushtakun, Rexhep Hotin, Arizona Dibrën, Avni Azemin, Rizah Hajdarin dhe Qani Mehmedin, se në periudhën maj-qershor 2009 kishin nisur një fushatë mediale kundër Jeta Xharrës, Drejtoreshës së BIRN-it, duke kryer veprat penale Shkelje e Statusit të Barabartë të Banorëve të Kosovës dhe Kanosje, vepra këto të dënueshme në bazë të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas aktakuzës, veprat penale ishin kryer pasi që Xharra kishte udhëhequr një nga edicionet e emisionit “Jeta në Kosovë”, në RTK, në të cilin kishte paraqitur keqmenaxhimin e komunës së Skënderajt dhe kushtet e pafavorshme të jetës atje ku Sami Lushtaku është kryetar komune.

Fushata ndaj saj ishte zbatuar nëpërmjet botimit të artikujve për 12 ditë me radhë në Gazetën “Infopress”, ku sipas aktakuzës, ishin përhapur gënjeshtra politike ndaj Jeta Xharrës me shprehjet si “spiune e Serbisë, “bombë profesionale”, “jetëshkurtër etj”.

Në seancën e parë të datës 12 mars, të caktuar nga gjykatësi i EULEX-it Vladimir Mikulla, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nuk u paraqitën asnjëri nga të pandehurit, pos Qani Mehmedit.

Në këtë seancë mbrojtësi i kryetarit të Skënderajt Sami Lushtaku, avokati Arianit Koci, njoftoi gjykatën se as ai, e as i mbrojturi i tij, nuk e kishin marrë ftesën.

Gjykatësi tha se do të sigurohet që ftesat të shkojnë te të pandehurit përmes policisë, për të cilën gjë prokurorja Bamieh i ofroi ndihmën.

Në seancën e dytë të këtij shqyrtimi, edhe pse të pandehurit kishin ardhur me kohë në seancë, së bashku me mbrojtësit e tyre, seanca nuk u mbajt.

Arsye e mosmbajtjes së seancës së datës 20 mars ishte vërejtja e mbrojtjes se gjykimi duhet të zhvillohet para një trupi gjykues. Vërejtje të cilën e pranoi gjykatësi dhe për këtë shkak edhe seanca u shty për 15 prill.

Por, një seancë tjetër u mbajt edhe në fund të marsit, kur gjykata dëgjoi një dëshmitar të mbrojtur të prokurores Bamieh.