Ramadan Muja me zyrtarë komunalë në gjykim

Në fund të muajit mars në Gjykatën Themelore të Prizrenit, u mbajt seanca e parë fillestare ndaj gjashtë të akuzuarve për shpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Listës së të akuzuarve i prin i pari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i pasuar nga  zyrtarët tjerë: Sadik Paçarizi, drejtor i urbanizmit, Avni Ademaj ish-u.d i drejtorit për gjeodezi, Kadri Ukimeri, ish-drejtor i gjeodezisë, Abdullah Tejeci drejtor për gjeodezi dhe kadastër dhe Minir Krasniqi, drejtor për administratë.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë, Ramadan Muja bashkë me pesë zyrtarë të tjerë, me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës pa përfillur procedurat ligjore.

Vlera e disa prej tokave për të cilat zyrtarët komunalë prizrenas akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare kap shumën prej rreth 200 mijë eurosh.

Në vitin 2006, Gjykata Supreme kishte shpallur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 dhe 8619. Të dyja kanë vlerë rreth 50 mijë euro.

Për tre vjet rresht, nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit kishte njoftuar kryetarin e Komunës, përmes një memorandumi që vendimi i Supremes duhej ekzekutuar, Muja kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.

Sipas aktakuzës, Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.

Në anën tjetër, Ukimeri ishte përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi dhe ai qëllimisht dështoi të ndërmarrë veprime me të cilat komuna do të bëhej pronare e parcelave në fjalë, thuhet në aktakuzë. Këto prona më pas u janë dhënë në shfrytëzim kompanive private.

Meqenëse toka nuk ishte kthyer në pronësi të komunës, nga veprimet e kryetarit të komunës dhe drejtorit të gjeodezisë kanë përfituar Minir Krasniqi (i pandehur tjetër në këtë rast), M.Q dhe J.A.

Pika e dytë e aktakuzës përfshin periudhën nga 24 nëntor 2010 deri më 11 shkurt 2011, gjatë së cilës kohë Muja së bashku më Minir Krasniqin, drejtor i administratës dhe Avni Ademaj ushtrues detyre i drejtorit për gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan”.

Të tretë, në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “Boka Boka” me vlerë prej 100 mijë e 600 euro.

Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “Sharri” dhe administrohej nga AKP-ja, andaj komuna nuk mund ta posedonte.

Në mënyrë që të administronin me të, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.

Tokën e AKP-së Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010 kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtën ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga ky i fundit po atë ditë.

Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë më Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepet kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.

Pika e tretë e aktakuzës tregon që Muja kishte vazhduar të merrte veprime të paligjshme, kur bëhej fjalë për shfrytëzim pronash.

Në periudhën kohore nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre kur i dhanë tokën publike Fabrikës së Çokollatës “Kamila”.

Me vendim të Mujës fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metra katrorë në vlerë prej 40 mijë eurosh, në formën e shfrytëzimit pa pagesë, pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Në pikën e katërt të aktakuzës, thuhet se në periudhën midis datës 20 gusht 2011 dhe 26 janar 2012 në Prizren, Ramadan Muja, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Minir Krasniqi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Administratë dhe Abdullah Tejeci, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe me qëllim të shkeljes serioze të së drejtës së personave tjerë, përkatësisht të personave që kanë paraqitur padi civile në Gjykatën e Prizrenit, në së paku 7 raste, kanë marrë pjesë në nxjerrjen e një konkluzioni, me anë të së cilit ekspertët kadastralë të punësuar në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, janë ndaluar që të marrin pjesë në seancat gjyqësore dhe për të dhënë opinionet e tyre si ekspertë në rastet e lartcekura.

Në këtë mënyrë kanë penguar realizimin e të drejtave të kërkesë- paditësve për gjykim të shpejtë që do të çonte në kthimin e mundshëm të pronave të tyre.

Meqë veprat e lartpërmendura kanë shkaktuar shkelje të rëndë të të drejtave të një numri të pretenduesve në kontestet civile, ato përbëjnë vepër penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Për këtë rast më 11 shtator 2011, emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar një reportazh për pengimin e punës së Gjykatës në Prizren.

Pas leximit të aktakuzës, nga prokurorja Natasha Vikeri, të pandehurit u deklaruan të pafajshëm duke kundërshtuar çdo pikë të akuzës.

Në këtë seancë prokurorja kërkoi që të pandehurve t’u konfiskohen dokumentet e udhëtimit, por gjykatësi Vladimir Mikulla, vendosi që të pandehurit duhet të lajmërohen në rast se lëshojnë vendin. Seanca e radhës si seancë e dytë do të mbahet më 25 prill.