Procedura e provave dhe akuza të reja në rastin Bukoshi e Tolaj

Gjatë marsit, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht departamenti për krime të rënda i kësaj gjykate, ka dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin ku po gjykohet Bujar Bukoshi ish ministër i Shëndetësisë, Ilir Tolaj sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pesë zyrtarë e ish-zyrtarë të kësaj ministrie.

Ish ministrit të Shëndetësisë Bujar Bukoshi, gjatë marsit iu zgjerua aktakuza edhe me një pikë për shpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas akuzës së re Bukoshi ishte ngutur që ta kthente në pozitën e sekretarit permanent Ilir Tolajn, sapo Gjykata Supreme kishte marrë vendim që ai të kthehet në punë. Në atë kohë Bukoshi e kishte ditur se Prokuroria Speciale ishte duke zhvilluar hetime kundër Tolajt. Gjykata Supreme në vendimin e saj nuk e kishte urdhëruar Ministrinë e Shëndetësisë që Tolajn ta kthente në punë.

Sekretari permanent në suspendim, Ilir Tolaj së bashku me Hajrullah Fejzën, sipas aktakuzës së zgjeruar akuzohen se kanë shpërdor detyrën zyrtare, kur i kanë bërë presion Ekrem Maliqit që ai të nënshkruhet në një komision vlerësues. E pasi që Maliqi nuk e kishte nënshkruar atë vlerësim, atij i ishte ndryshuar menjëherë pozita e punës.

Sipas akuzës, Maliqi ishte ankuar dhe kishte fituar prapë pozitën e punës edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Prokurorja Bamieh tha se në rastin e Ekrem Maliqit që ishte shef i prokurimit., Bujar Bukoshi nuk ishte ngutur që ta kthente në pozitën e tij të punës.

Të gjithë po akuzohen për shpërdorim të detyrave zyrtare dhe të autorizimeve në periudha të ndryshme kohore.
Aktakuza e prokurores Maria Bamieh e ngarkon ish-ministrin e Shëndetësisë Bujar Bukoshin se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme. Po ashtu, ai akuzohet se nuk kishte vazhduar kontratat me tri kompani kosovare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit.

Aktakuza për Ilir Tolajn ka të bëjë gjithashtu me tentim dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare ose autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.

Gjykata gjatë gjithë muajit dëgjoi dëshmitë e dëshmitarëve, e të cilët kryesisht ishin punëtorë të MSh-së që tregonin për veprimet e të pandehurve, veçanërisht të Ilir Tolajt dhe Arbenita Pajazitit.

Gjatë prillit gjykata do të dëgjojë edhe dëshmi të tjera dhe mbrojtjen e të pandehurve.