Pas raportit të BIRN, certifikatat gjyqësore standardizohen

Pas transmetimit të raportit televiziv në emisionin “Jeta në Kosovë”, në lidhje me standardizimin e certifikatave gjyqësore të lëshuara nga gjykatat e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dërguar një format unik të certifikatave, i cili duhet të përdoret nga të gjitha gjykatat në Kosovë. Kjo informatë është komunikuar për BIRN nga kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani. Për vite me radhë, certifikatat e lëshuara nga Gjykatat e Kosovës ishin të ndryshme nga njëra tjetra në formë dhe përmbajtje. Disa nga to ofronin edhe informata të ndjeshme nëse një person ka rekord kriminal, informatë kjo e cila mund të verifikohet vetëm nga Departamenti i Policisë.