Pas Debatit të BIRN, gjykata vendos në favor të mësueses Hyseni

Për katër muaj, mësuesja Letafete Hyseni nga Vushtrria, ishte duke pritur për pagën e saj që t’i paguhej. Hyseni, e cila festoi 65 vjetorin e lindjes në prill, moshë kjo kur të gjithë shërbyesit civil në Kosovë duhet të pensionohen, punoi dhe katër muaj për të përfunduar vitin shkollor. Mirëpo ajo nuk u pagua për atë periudhë, megjithëse në bazë të udhëzimit të ri administrativ nr.1/2010, mësuesit të cilët arrijnë moshën 65 vjet gjatë vitit shkollor, duhet të përfundojnë vitin shkollor e më pas të pensionohen. Ky udhëzim administrativ zëvendësoi një udhëzim të vjetër administrativ me nr. 18/2005. Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Ministria e Administratës Publike, ishin ende duke implementuar udhëzimin administrativ të mëparshëm, në bazë të cilit shërbyesit civil pensionohen ditën që mbushin 65 vjet. Hyseni vendosi të padisë Ministrinë e Arsimit, e cila i paguan mësuesit kosovar. Ajo gjithashtu mori pjesë si paneliste në debatin televiziv “Jeta në Kosovë”, ku ajo foli hapur për problemin e saj. Pas transmetimit të debatit, Gjykata Komunale e Vushtrrisë vendosi që mësueses Hyseni duhej t’i paguheshin katër rroga për të cilat ajo kishte punuar.