Lirohet i Pandehuri i Pazakontë

Një i diagnostifikuar si “skizofren paranoid” është mbajtur për tri vjet në paraburgim për një vrasje me automatik në Pejë në vitin 2010, por u lirua këtë muaj falë të dhënave të mobilit të tij. Ngjarjet rreth tij, megjithatë, e lënë gjyqësorin me dy pyetje të rëndësishme për vetveten: respektimin e legjislacionit për këto kategori dhe atë se kush ishte vrasësi i vërtetë i Bekim Krasniqit?

Gjyqtarët dhe të ftuarit e tyre rrallëherë kanë përjetuar në sallën e gjykimit fyerje kaq intensive. Dhe në të njëjtën kohë, jo të ndiejnë inate e të gatshëm të marrin masa kufizuese, por brejtje ndërgjegjeje dhe konfuzion.

Për gati tre vjet, që nga gushti 2010, 36 vjeçari Haki Gjocaj qëndroi në paraburgim në Prizren, Pejë, Dubravë. Por, para rreth dy javësh, më 17 qershor 2013, Gjocaj nga Baballoqi i Deçanit u lirua nga Gjykata Themelore e Pejës, me arsyetimin se nuk kishte prova se ai kishte kryer vepër penale.

Përkundrazi, dy vëllezërit e tij, Fahri e Florim Gjocaj, ishin dënuar më 9 korrik 2012 nga Gjykata e Qarkut e Pejës bashkë, me 19 vjet burgim për veprat pjesëmarrje në rrahje dhe shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Të dënuarit kishin pranuar pjesëmarrjen në rrahje, por jo shtytjen në vrasje.

Për të njëjtën aktakuzë, gjykimi kishte nisur në nëntor 2011, ndërsa thuhej se Fahri Gjocaj më 30 korrik 2010 ishte fjalosur në restorantin “Blini” në Pejë me Bekim Krasniqin të cilit ia kishte shtatë mijë euro borxh.

Pas një fjalosjeje në tavolinë, Fahri Gjocaj i kishte thënë Bekim Krasniqit të priste “vetëm pesë minuta”.  Fahriu ishte kthyer me dy vëllezërit Florim e Haki Gjocaj.

Sipas aktakuzës, Haki Gjocaj kishte shtënë në drejtim të viktimës me pushkë automatike A-47pasi targeti i ishte treguar me gisht nga i vëllai, rreth orës 23:30.

Krasniqi kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.

Më nëntë korrik 2012, kur Fahriu e Florimi u dënuan, lënda i ishte veçuar Haki Gjocajt për shkak se ai ishte i sëmurë.

Gjatë seancave gjyqësore u dëgjuan dëshmitarët Naim Vokshi, Leonard Nimani dhe Bajram Koci, të cilët ishin prezentë natën kritike. Asnjëri nga ta në dëshmitë e tyre të dhëna në sallën e gjykatës nuk e pranuan që natën e vrasjes Haki Gjocaj ishte në vendngjarje. Prokuroria thoshte se të njëjtit dëshmitarë gjatë hetimit e kishin pohuar këtë.

Por trupi gjykues në përbërje të Sylë Lokajt kryetar, Ibarahim Berishës dhe Arben Mustafës anëtarë, më 17 qershor 2013 liruan Haki Gjocajn.

“Ne si trup gjykues këtë vendim e kemi marrë pasi që i kemi analizuar të gjitha faktet lidhur me këtë rast dhe kemi ardhur në përfundim se nuk ka pasur dëshmi që Hakiu ka qenë kryes i veprës për të cilën akuzohej”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj.

Sipas tij, gjithashtu, “hartografia telefonike ka treguar se telefoni personal i të akuzuarit natën kritike nuk ka qenë nën valët e Pejës”.

Telefoni mobil i Hakiut, në natën kritike vibronte nën valët e Junikut dhe Hereqit, e jo nën ato të Pejës, ku ndodhet restoranti “Blini”. Këtë informatë gjykata e kishte marrë nga kompania “Vala”. Baballoqi valët i merr nga antenat e vendosura në Junik dhe Hereq.

Prokurori Ali Uka që kishte bërë aktakuzën dhe kishte përfaqësuar atë deri në veçimin e procedurës, thotë se në këtë rast nuk mund të përdoret hartografia telefonike. Sipas tij, dëshmitarët mund të jenë ndikuar.

Ndërsa prokurorja e rastit Valbona Haxhosaj që kishte përfaqësuar aktakuzën kundër Hakiut pas veçimit të procedurës, deklaroi se do të përdorë të drejtën e ankesës.