Latif Gashi, Rustem Mustafa dhe të tjerët kthehen në bankën e të akuzuarve

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, gjatë  gushtit e shtatorit u mbajtën dy seanca në çështjen e njohur në publik si Grupi i Llapit, ku të akuzuar ishin Latif Gashi, Rustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti. 

Ata akuzohen për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, në kundërshtim me ish-Kodin Penal të ish-Jugosllavisë, ish-Ligjin Penal të Kosovës, konventat ndërkombëtare të Gjenevës për krimet e luftës si dhe protokollet e saj. 

Në seancat e mbajtura, për shkak të paqartësive që kishte mbrojtja, aktakuza u lexua dy herë. 

Sipas urdhrit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila e kishte kthyer lëndën në rigjykim vetëm për pikën 8 të aktakuzës së vitit 2001, prokurori Special e kishte përpiluar një aktakuzë të re, të cilën gjykata shumë vonë e kishte dorëzuar tek palët. Kjo qe edhe shkaku i shtyrjes së seancës së parë, pasi që mbrojtja dhe të pandehurit kërkuan më shumë kohë. 

Të tre të pandehurit në kohën e luftës kishin nofkat e tyre. Latif Gashi që njihej me nofkën “Lata”, Nazif Mehmeti me nofkën “Nazi” dhe Rustem Mustafa me nofkën “Remi”, gjatë luftës kishin mbajtur pozita komanduese në UÇK. 

Sipas aktakuzës, që nga gushti 1998 deri në prill 1999, ata kishin pasur dijeni për qendrat e ndalimit në vendet Majac, Potok dhe Koliq. Në këto qendra ishin ndaluar civilë shqiptarë me arsyetime se janë kolaboracionistë të pushtetit serb. 

Në këto qendra, të pandehurit së bashku me persona të tjerë të panjohur, akuzohen se kanë ndaluar, torturuar, keqtrajtuar dhe rrahur në mënyrën me çnjerëzore civilë shqiptarë. Sipas aktakuzës, personat e ndaluar, për të shpëtuar duhej të tregoheshin besnikë ndaj UÇK-së, ashtu që për të treguar besnikërinë duhej të vrisnin ndonjë serb.

Edhe në seancën e dytë, pati paqartësi pasi që prokurori special nuk i kishte hequr nga aktakuza vendet e krimit, për të cilat të pandehurit ishin liruar me vendim të formës së prerë. Prokurori më pas i hoqi nga aktakuza Llapashticën dhe Bajgorën, dy vendet të krimit, duke i lënë në aktakuzë  tri vendet e tjera. 

Pas ndryshimit të aktakuzës, mbrojtja kërkoi që aktakuza t’iu  jepej në formë të shkruar nga prokuroria, pasi që të pandehurit kërkonin të dinin saktë se për çfarë po akuzoheshin.