Ish-kryetari i Suharekës dyshohet se keqpërdori 1 milion euro

Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit për shpërdorim të detyrës zyrtare, ose autorizimit.

Prokuroria Themelore e Prizrenit e akuzon Asllanajn se në periudhën kohore prej 23 nëntorit 2006 deri më 28 dhjetor 2009, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Suharekës dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas aktakuzës, më 23 nëntor 2006, ai ka miratuar kërkesën e “Ben- Af” LLC, për përdorimin e ngastrave kadastrale shoqërore 680/1 dhe 680/2, me qëllim të ndërtimit të strukturave afariste banesore.

Kështu, prokuroria pretendon se i është mundësuar “Ben- Af”-it ndërtimi i një strukture afariste banesore, duke e garantuar investitorin për shfrytëzim të përhershëm të këtyre ngastrave kadastrale.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe duke mos e zbatuar procesin e tenderit para nënshkrimit të marrëveshjes, me ç’rast organizata e biznesit “Ben-Af” ka përfituar shumën prej më shumë se 1 milion euro.

Prokurorja e rastit, pas leximit të aktakuzës, bëri ricilësimin e veprës penale, nga vepra e shpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autorizimit, nga neni 339 paragrafi 3 i ish-Kodit Penal, për të cilin vepër dënimi parashihet deri në tetë vjet burg, në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit të ri Penal, sipas të cilit parashihet dënimi deri në pesë vjet burgim. Prokurorja tha se kjo është bërë për shkak të aplikimit të ligjit më të favorshëm për palën.

I akuzuari nuk e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkon prokuroria.

Pas leximit të aktakuzës, prokurores apo palëve të tjera nuk iu dha fjala hyrëse, ashtu siç është e paraparë me Kodin e Procedurës Penale, i cili parasheh që “nëse i pandehuri nuk e pranon fajësinë në fillim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues thërret prokurorin e shtetit, të dëmtuarin dhe mbrojtësin për të përmbledhur provat që mbështesin rastin apo kërkesën e tyre.”

Në seanca ka dëshmuar Muhamet Veliu, i cili në vitin 2007 kishte qenë asamblist nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai tregoi se që nga fillimi i procesit po merr kërcënime nga persona të ndryshëm. Për këtë gjykata e udhëzoi që të lajmërohet në prokurori.

Dëshmitari tjetër, Bekim Kuqi, edhe pse i ftuar në mënyrë të rregullt, në këtë seancë nuk i ishte përgjigjur ftesës së gjykatës.