Ish gjykatësi Puka fitonte nga dëmet e paraluftës

Gjatë qershorit vazhduan seancat në rastin e ish gjykatësit Kolë Puka dhe dy avokatëve Zef Marleku dhe Lon Palushaj. Seanca e parë filloi vonesë, kolegji i gjykatësve kishte caktuar seancën që të fillonte në orën 9 e 30 por që ajo nisi vetëm pas një ore e dhjetë minuta vonesë. Deri tek kjo vonesë erdhi për shkak të nisjes me vonesës të njësitit për transportin e të burgosurve. Njësiti i transportit të burgosurve ishte nisur shumë vonë nga burgu i Dubravës për ta sjell Kolë Pukën në seancë.

Kryetari i kolegjit që në fillim të seancës tha se kolegji do të kërkojë që i pandehuri të transferohet në burgun e Prishtinës, për kohën sa është duke u zhvilluar gjykimi, pasi që do të jetë më lehtë që i pandehuri të arrinte në kohë për gjykim.

I pandehuri Puka dhe avokati i tij, Tahir Rrecaj, e kundërshtuan një gjë të tillë me arsyetimin se në Burgun e Dubravës mund të takohen gjatë të dielave, gjë që në burgjet tjera nuk mund ta bëjnë. Kolegji mbeti të vendos për këtë çështje në seancën e radhës.

Pas kësaj avokati Rrecaj pati disa çështje paraprake për të cilat kërkoi përgjigje nga kolegji. Fillimisht ai kërkoi nga prokurori që ti sillte urdhrin që kishte dhënë për masat e fshehta. Pastaj ngriti çështjen e konfirmimit të aktakuzës sidomos futjen e pikës me akuzën e mashtrimit nga ana gjykatësit. Sipas Rrecajt kjo është një shkelje procedurale nga ana e gjykatësit. Në fund tha se provat e dorëzuara nga prokurori janë vetëm fotokopje e kjo e ngritë çështjen e besueshmërisë së tyre.

Kryetari i kolegjit iu përgjigj shpejt, fillimisht i kërkoi prokurorit që ta sjellë dokumentin, pastaj tregoi se provat në gjykatë janë të dorëzuara në origjinal, ndërsa sa i përket pikës së aktakuzë tha se gjykatësi i konfirmimit e ka arsyetuar dhe se kolegji mirëpret çdo ndryshim nga ana e prokurorit.

I pari për të dhënë dëshmi u ftua dëshmitari dhe njëkohësisht i dëmtuari Besim Berisha. Besimi dëshminë e tij e filloi duke treguar për aksidentin që ai dhe disa familjarë të tij e kishin pësuar në vitin 1997 në vendin e quajtur Dush të Klinës.

Dëshmitari tregoi se i pandehuri i kishte kërkuar dokumentet mjekësore të vëllait të tij por jo të tij, po ashtu ai i kishte dhënë fillimisht 9200 euro e pastaj i kishte dhënë 7500 euro. Dëshmitari tha se të pandehurin Kolë Puka e njihte si avokat edhe para edhe pas luftës e po ashtu deklaroi se i kishte qene një herë në zyrën e tij në gjykatë, por se nuk i kujtohej të ketë qenë ai gjykatës. Prokurori sqaroi se për rastin e dëshmitarit një herë kompania e sigurimeve kishte dhënë mbi 30 mijë euro e pastaj edhe mbi 70 mijë euro të tjera.

Të gjithë deklaratën e dëshmitarit e kundërshtoi i pandehuri Kolë Puka, ai tha se puna kishte qenë ndryshe dhe se ai nuk e kishte ditur që vëllai i dëshmitarit kishte vdekur në vitin 1999, kjo pasi që dëshmitari pas luftës i kishte sjell të pandehurit certifikatat e lindjes.

Pas këtij dëshmitari, u ftua Aziz Zogaj, dikur mësues tani pensioner në moshën 70 vjeçare. Dëshmitari Zogaj ishte babai i gruas së vëllait të dëshmitarit Besnik Berisha, e cila kishte vdekur në aksidentin e vitit 1997. Në këtë aksident dëshmitari i kishte humbur vajzën e tij dhe dy nipërit. Ai tregoi se ngjarja kishte ndodhur teksa taksia po tentonte të kalonte trenin, por që nuk ja kishte arritur. Në vitin 2002, i pandehur Kolë Puka i kishte sjell atij në shtëpi 2000 euro, për të cilin gjest dëshmitari e kishte faleminderuar shumë herë, kjo pasi që ai kishte qenë në një gjendje të rëndë ekonomike.

Ai dëshmoi se në vitin 2009 e kishte thirr policia e Kosovës për ta pyetur lidhur me aksidentin e vajzës dhe nëse kishte marrë para. Sipas dëshmitarit ai fillimisht e kishte hezituar të tregonte se kishte marrë para por më vonë i kishte treguar policisë. Më vonë dëshmitari tha se Kolë Puka e kishte thirr në telefon dhe i kishte thënë se ishte bërë një gabim dhe se i takojnë edhe 2000 euro, e dëshmitari e kishte refuzuar një shumë të tillë duke dyshuar se ka mashtrim. Në ndërkohë Kolë Puka i kishte dërguar disa njerëz që ti merrte edhe 2000 euro të tjera, e në fund përmes Gani Zogajt, dëshmitari i kishte pranuar ata para. Kur dëshmitari kishte shkuar tek prokurori kishte mësuar se shuma që është kompensuar nga kompania e sigurimeve ishte 114 mijë euro. Edhe për këtë dëshmitar, i pandehuri Kolë Puka tha se nuk po e thotë të vërtetën dhe se ai atij i kishte dhënë dy herë nga 4000 euro, ndërsa dëshmitari e refuzoi duke thënë se i kishte marrë vetëm 4000 euro.

Pas Zogajt si dëshmitar u ftua Nuhi Gumcati, bujk nga Kijeva, i cili në vitin 1996 kishte pësuar një aksident, ku derisa ai ishte me traktor një makinë e tipit Audi e kishte goditur dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore. Gumcati nuk kishte marrë asnjë kompensim për këtë dëme ndërsa kompania e sigurimeve Kosova për dëmet e tij i kishte lëshuar 59 mijë euro.

Në radhë u ftua dëshmitari Istref Kryeziu nga fshati Bubavec, ku edhe në vitin 1995 i kishte ndodhur aksidenti. Në aksident kishte vdekur gruaja e vëllait ndërsa vajza e vëllait kishte pësuar lëndime. Për dëshmitarin kompania e sigurimeve i kishte lëshuar 6125 euro e nga to dëshmitari nuk kishte marrë asnjë cent.

Tutje dëshmitari Fran Ndrecaj, i cili tani punonte si drejtues trenash në Kosovë, e në vitin 1989 kishte pësuar një aksident të rëndë derisa po ngiste një biçikletë ai ishte goditur nga një makinë. Dëshmitari tregoi se si mezi kishte mbetur gjallë pas këtij aksidenti dhe se si ai ishte kompensuar në Slloveni ku avokat i tij kishte qenë Kolë Puka, më pas ai tregoi se si e kishte kuptuar se nga 71 mijë euro që i kishte dhënë kompania e sigurimeve, ai i kishte marrë vetëm 49 mijë ndërsa 17 mijë i kishte marrë Kolë Puka, po ashtu 8 mijë të tjera një avokat nga Sllovenia. Ndërsa dëshmitari tha se në Kosovë nuk kishte marrë asnjë cent.