Improvizimet e gjyqësorit kosovar

Diçka që zakonisht nuk pritet kishte ngjarë një të diel, në fund të 2010-tës, në ish-Gjykatën Komunale të Vushtrrisë. I arrestuari Gëzim Baliu kishte ikur nga objekti i gjykatës. Ai kishte shfrytëzuar shkallët emergjente për ikje. Baliu po akuzohej për tentimvrasje nga Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë. Vetëm disa muaj më vonë, policia arriti që të arrestojë prapë atë.

Historitë duan të përsëriten. Në dhjetor 2012, teksa Arton Haziri priste shpalljen e aktgjykimit nga gjykata për vjedhje, kishte arritur t’i përvidhej policisë dhe më pas të zbriste shkallët e objektit. Haziri, megjithatë, nuk kishte arritur të kalonte derën e gjykatës. Policët që po e përcillnin e kishin zënë në hyrje.

Sipas punonjësve të gjykatës, kishte pasur edhe raste tjera të ngjashme.

Që nga 2008-ta, në objektin e ish-Gjykatës Komunale në Vushtrri, për shkak të gjendjes në veri të Kosovës, janë vendosur edhe ish-gjykatat prokuroritë e qarkut dhe ato komunale të Mitrovicës. Kjo ka bërë që objekti i ish-Gjykatës Komunale të Vushtrrisë të bëhet shumë jofunksional, për shkak të mungesë së hapësirave.

Mbrapa këtij objekti ekziston vendparkimi dhe nga aty niset një hyrje e veçantë për të paraburgosurit. Por, hyrja shfrytëzohet shumë rrallë, pasi që të çon në një bodrum të mbytur në erë myku.

Në atë bodrum është e paraparë që të mbahen të paraburgosurit dhe të arrestuarit derisa ata të dalin para gjykatësit.

Udhëheqësja e degës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Vushtrri, Kada Bunjaku-Perçuku, për BIRN-in tregon se kushtet për të paraburgosurit dhe të arrestuarit që sillen në objektin e gjykatës janë shumë të rënda.

“Të burgosurit dhe paraburgosurit janë të obliguar të qëndrojnë në automjetet e shërbimit korrektues ose të policisë derisa të fillojnë gjykimet kundër tyre”, thotë ajo.

Ndryshe nga Vushtrria, në Gjykatën Themelore në Pejë, dikur Gjykatë e Qarkut dhe Komunale, ka një hyrje të veçantë që këtë gjykatë e lidh me qendrën e paraburgimit në Pejë. Nga aty të paraburgosurit nisen drejt në sallën e gjykimit.

Kryetarja e kësaj gjykate, Elmaze Syka, për BIRN-in thotë se ata nuk kanë pasur ndonjë problem me të paraburgosur duke iu falënderuar kësaj lidhje. “Të burgosurit sillen drejt nga qendra e paraburgimit dhe nuk kanë kurrfarë kontakti me ndonjë palë”, thotë ajo.

Mirëpo, shumë nga gjykatat tjera nuk i kanë këto kushte. Dega e Gjykatës Themelore të Pejës, në Deçan, nuk ka kurrfarë hapësire të veçantë për automjetet e shërbimit korrektues, hyrje të veçantë për të paraburgosurit ose dhomë të veçantë.

Gjyqtari Sulltan Dobraj thotë se nuk ka ndodhur asnjëherë që të ketë pasur ndonjë problem të kësaj natyre. “Mirëpo, në këtë gjykatë nuk ka as hapësirë për parkimin e automjeteve të gjykatës, e as për veturat zyrtare”, tha ai.

Edhe Gjykata Themelore në Gjakovë ballafaqohet me problemet e mungesës së hyrjeve të veçanta dhe vendit të mbajtjes së të paraburgosurve, edhe pse e ka statusin e Gjykatës Model.

Administratori i kësaj gjykate Rudin Elezaj tregon se aty shkallët emergjente i shfrytëzojnë si hyrje-dalje për të paraburgosurit.

Gjykata ka një dhomë për të paraburgosurit, mirëpo që nuk i plotëson kushtet e mbajtjes së të arrestuarve e të paraburgosurve.

Në një rast, në muajin shkurt, një i paraburgosur e kishte njoftuar gjykatën se gati është ngulfatur në vendin ku ishte caktuar të qëndronte, për shkak të mungesës së ajrit.

“Po të mos vinin oficerët që të ma hapin derën do të ngulfatesha”, thoshte i pandehuri në seancë.

Dega në Istog e Gjykatës Themelore të Pejës, nuk ka kurrfarë hapësire para gjykatës e as ndonjë hyrje të veçantë ose hapësirë të veçantë për automjetet e shërbimit korrektues.

Gjykata nuk ka as dhomën e veçantë ku do të mund të mbaheshin të arrestuarit ose të paraburgosurit që presin të dalin para gjykatësit.

Edhe gjykata më e madhe themelore në vend, ajo e Prishtinës, edhe pse gjykatë model, pos që është e ndarë në tri objekte, nuk ka hyrje të veçantë për të arrestuarit ose të paraburgosurit.

Madje në selinë e ish-Gjykatës Komunale, kur shërbimi korrektues i sjell të pandehurit për në seanca në të cilat ata gjykohen, nuk ka ku të parkojë makinën transportuese.

Njësia e transportit detyrohet fillimisht që të ndalojë makinën në rrugë dhe të bllokojë komunikacionin e më pas të fusë në gjykatë të pandehur(it)in nga hyrja kryesore.

Sipas sigurimit të kësaj gjykate, ky është një problem që i përcjellë gjatë gjithë kohës.

Dega e kësaj gjykate në Podujevë ka vend për parkim të veturave dhe ka hyrje të veçantë për të paraburgosurit ose të arrestuarit.

Kjo hyrje shfrytëzohet dhe personat që futen andej dalin menjëherë në sallën e gjykimit, kështu që i iket kontaktit me palët tjera.

Ndërsa dega tjetër, ajo në Drenas, nuk e ka një hyrje të veçantë për të arrestuar dhe të paraburgosur, por ajo ka vend për parkim të veturave dhe ka dhomë për të vendosur deri në 6 persona.

Monitoruesi i BIRN-it ka vërejtur se korridori i gjykatës bllokohet shpesh kur ka më shumë se tre të paraburgosur.

Pak më mirë është gjendja në Gjykatën Supreme të Kosovës, në objektin e së cilës punon departamenti për krime të rënda i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ky objekt ka një lidhje me qendrën e paraburgimit në Prishtinë dhe të gjithë të paraburgosurit futen nga ajo hyrje.

Por, kjo nuk aplikohet për të arrestuarit që presin të dalin para gjykatësit, për caktimin e masave të sigurisë. Ata kur sillen nga policia, futen nga dera kryesore e objektit, aty ku hyjnë edhe palët.

Gjykatës Themelore në Gjilan i mungon hapësira për vendosjen e të paraburgosurve ose të arrestuarve që presin të dalin para gjykatësit. Zakonisht ata presin në sallë të gjykimit ose në korridorin e gjykatës, deri në fillim të seancës. Ndërsa hyrje të veçantë kjo gjykatë ka nga qendra e paraburgimit.

E problemin e njëjtë e ka edhe dega e gjykatës në Kamenicë. Monitoruesi i BIRN-it atje ka parë se të arrestuarit ose të paraburgosurit qëndrojnë në korridor para sallës së gjykimit për të pritur gjykimin.

Por dega në Viti pos që nuk ka fare vend për parkim të veturave, nuk ka as një hyrje të veçantë. Të pandehurit ose të arrestuarit futen direkt nga rruga. Rasti i njëjtë është edhe në gjykatën e Dragashit.

Udhëheqësi i degës Skender Shefkiu është i vetmi në këtë gjykatë që seancat i mban në sallë të gjykimit. Gjykatësit të tjerë të degës seancat i mbajnë në zyrat e tyre.

Objekti i gjykatës nuk e ka një vend ku të paraburgosurit mund të mbaheshin në rast se bëhet pushim në mes të seancës.

Kushte më të mira ka gjykata e Malishevës, e cila në objektin e saj të ri, ka një hyrje të veçantë për makinat e transportit dhe shkallë të veçanta që dalin direkt në sallën e gjykimit.