Ilir Tolajt 18 muaj burg, Bukoshi i lirë

Këtë muaj Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur gjithashtu për rastin Tolaj dhe Bukoshi. Me 18 qershor autoriteti gjyqësor dënoi ish-sekretarin e përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolajn me 18 muaj burg për veprat penale nxitje të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe shmangie nga tatimi.

Aktgjykimi është shpallur nga një trup gjykues i përbërë nga Corenelia Peck (kryetare e trupit gjykues), Vladimir Mikula (gjykatës i EULEX-it) dhe Shemsi Hajdini (gjykatës vendor).

Gjykata po ashtu gjeti fajtor ish zyrtaren për Farmaci në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajazitin, e cila është dënuar me tetë muaj burg me kusht dhe ish shefin e Divizionit për Shërbime Shëndetësore Hajrullah Fejzën, i cili është dënuar me tetë muaj burg.

Ish-ministri i Shëndetësisë Bujar Bukoshi, ish-shefi i Departamentit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë Bekim Fusha, ish-drejtori i Prokurimit Zenel Kuqi dhe ish zyrtari i Prokurimit Ismet Hyseni, janë shpallur të pafajshëm.

Ilir Tolaj, po akuzohej nga prokuroria Speciale e Kosovës për 12 pika të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimeve, një pikë për dhënie të ryshfetit, një për shmangie nga tatimi si dhe për pengim të të provuarit.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte akuzuar po ashtu me shpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit, Arbenita Pajazitin, Bujar Bukoshin, Hajrullah Fejzën, Bekim Fushën, Zenel Kuqin dhe Ismet Hysenin. Fejza akuzohej edhe për marrje të ryshfetit.

Tolaj u gjet fajtor vetëm për dy pika të aktakuzës dhe atë për pikën 1.3 që është shpërdorimi i detyrës zyrtare ose autorizimit, të cilën gjykata e ndryshoi në tentim falsifikimi të dokumenteve, për të cilën pikë u shpall fajtore edhe Arbenita Pajaziti.

Të pandehurit në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Rajmonda Hyseni që të nënshkruajë dokumentet se kinse ajo ka marrë pjesë në vlerësimin e dy tenderëve emergjentë. Në fakt ajo nuk kishte marrë pjesë fare në këtë vlerësim.

Arbenita Pajaziti për këtë vepër u dënua me 6 muaj burgim me kusht. Ndërsa Ilir Tolaj për të njëjtën vepër u dënua me 10 muaj burg.

Tolaj më tutje u gjet fajtor nga gjykata për shmangien nga tatimi, vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burg. Tolaj për këtë u dënua me një burgim prej 9 muajsh.

Ilir Tolajt gjykata i dha një dënim unik prej 18 muajsh burgim si dhe e dënoi me gjobë prej 1 mijë eurosh. Tolajt iu ndalua ushtrimi i funksionit publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Arbenita Pajaziti është dënuar për pikën 1.6 të aktakuzës me 6 muaj me kusht. Gjykata i shqiptoi asaj dënimin unik prej 8 muajsh me kusht duke mbikëqyrur dënimin për dy vjet. Gjithashtu gjykata vendosi që Pajaziti të mos mund të ushtrojë funksion publik për 2 vjet.

Kjo pikë e aktakuzës e ngarkonte Pajazitin se ajo i kishte thënë komisionit për pranimin e mallrave që të nënshkruajnë një deklaratë të falsifikuar të pranimit të medikamenteve nga furnizuesit, të cilët nuk kanë mundur ta furnizojnë MSh-në deri pas datës 21 dhjetor.

Hajrullah Fejza, nga gjykata u dënua dy herë nga 6 muaj burg, për dy vepra të kërkimit të ryshfetit. Ai mori një dënim unik prej 8 muajsh burg si dhe iu ndalua ushtrimi i funksionit publik për 3 vjet.

Fejza nga viti 2010 kryente detyrën e shefit të Divizionit për Shërbime Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.

Fejza akuzohej nga prokuroria se në fillim të vitit 2011 i kishte kërkuar Milaim Avdullahut shumën prej 10 %, nëse donte të merrte tenderin. Njëjtë Fejza kishte vepruar edhe me Fadil Lubeniqin.

Milaim Avdullahu dhe Fadil Lubeniqi, njëri pronar i kompanisë farmaceutike “Sante Pharm” dhe tjetri i asaj “Pro Pharm Helvetica” ishin palë të dëmtuara në rastin “Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët”.

Ilir Tolajn gjykata e liroi nga arresti shtëpiak. Po ashtu atij dhe Arbenita Pajazitit gjykata u liroi edhe llogaritë bankare që më parë i kishin të bllokuara.

Ish Ministri i Shëndetësisë, dhe zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi u lirua nga të gjitha akuzat.

Ai akuzohej në dy pika të aktakuzës për shpërdorim të pozitës zyrtare.

“Bukoshi, i influencuar nga Tolaj, në qershorin e 2010’ës nuk ia kishte vazhduar një kontratë për furnizim me barna Jona Med’it, që ishte e tipit “një plus një”, edhe pse shërbimi i ministrisë i kishte përgatitur dokumentacionin për të vazhduar kontratën”, thuhet në aktakuzë.

Bukoshi po ashtu akuzohej se kishte kthyer në postin e sekretarit permanent Ilir Tolajn, pas një vendimi të Gjykatës Supreme, por duke mos i dëgjuar rekomandimet që i kishte dhënë eprori i tij.

Të pandehurit e tjerë si Bekim Fusha, Ismet Hyseni dhe Zenel Kuqi, po ashtu u liruan nga pikat e akuzës ku ata po akuzoheshin për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit.

Gjykata në këto raste nuk kishte gjetur prova se veprat ishin kryer.

Të tre në Ministrinë e Shëndetësisë kryenin detyra që lidheshin me prokurimin dhe përgjegjësitë e blerjes së barnave për institucionin ku punonin.

Në arsyetimin e saj ndaj këtyre të treve, gjykata tha se “nuk kemi gjetur konflikt të interesit nga shitja e licencës për Ekskluziv Gjilan nga Arbenita Pajaziti”.

Në vitin 2007 Tolaj, Pajaziti dhe Burim Shkodra pronar i kompanisë “Ekskluziv-Gjilan”, kishin mbajtur një takim, pas të cilit kompania e Shkodrës mori licencë për importim barnash.

“Garancitë bankare ishin për të siguruar buxhetin” shtoi më tutje gjykatësja Peck.

Lidhur me veprimet e Tolajt dhe Bukoshit, në pikat që ata akuzoheshin, gjykata tha se “për të gjitha veprimet e ndërmarra ata kishin arsyetime, ose gjykata nuk ishte në gjendje që të gjejë veprim të keq”.

Për mosvazhdimin e kontratave “një plus një”, për të cilat Tolaj e Bukoshi akuzoheshin  se kishin bashkëvepruar për të mos i dhënë kontrata Jona Med-it dhe Yess Pharmit, gjykata arsyetoi se “nuk kanë pasur detyrime që kontratat të vazhdohen”.

Gjykata nuk dënoi Tolajn as për marrje ryshfeti, ngase sipas saj “nuk ka prova se Ilir Tolaj ka kërkuar në emër të tij ryshfet, fakti se dikush thotë ashtu, nuk do të thotë se është ashtu”.

Ndërsa pretendimet e prokurores Bamieh se Tolaj ka neutralizuar dëshmitarë, gjykata i konsideroi si “përgatitje për të kryer veprën penale”.

Gjykata dha edhe një mesazh kur tha se “popullata e Kosovës duhet të kenë besim në qeverinë e tyre dhe kjo duhet ta fitojë atë”.

“Duke kryer vepra të tilla populli mund ta humbet besimin”, shtoi ajo.

Gjykatësja Peck kritikoi prokuroren  Bamieh se ka zhvilluar hetime selektive, pasi që sipas gjykatës disa nga dëshmitarët dhe dëshmitë e tyre kanë treguar se Bamieh ishte e interesuar vetëm për periudhën e Tolajt derisa hetonte, e jo edhe për periudha të tjera.

Të gjithë të dënuarve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Prokurorja Maria Bamieh tha për BIRN-in se do të ankohet në Gjykatën e Apelit për vendimin.

Avokati i Bujar Bukoshit, Besnik Berisha, pas seancës vendimin e quajti si të pritshëm, por tha se ai i ka kushtuar Bujar Bukoshit.

Ilir Tolaj në anën tjetër njoftoi se do të paraqesë ankesë në pikat që është shpallur fajtor.