I dagnostifikuari si skizofren në gjykim

Ishte arrestuar nga policia më 23 gusht 2010 nën dyshimin se kishte kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Në bazë të aktakuzës, i pandehuri H. Gj., ngarkohet se me 30 korrik 2010, rreth orës 23:30, në afërsi të Spitalit Regjional të Pejës, me pushkë automatike A-47, me dashje kishte privuar nga jeta tash të ndjerin B. K., — për siç dyshohet një borxh në vlerë prej 7 mijë eurosh që viktima ia kishte vëllait të të pandehurit — duke kryer veprën penale vrasje e rëndë në bazë të Kodit Penal të Kosovës.

Që nga ajo kohë, tani i akuzuari për veprën e lartpërmendur, gjendet në paraburgim dhe ndaj tij vazhdon gjykimi për të vërtetuar fajësinë ose pafajësinë e tij.

Më shumë se 12 seanca të gjykimeve janë mbajtur nga muaji nëntor i vitit 2011, në Gjykatën e Qarkut në Pejë, dhe i njëjti bashkë me të dy vëllezërit, kanë një aktakuzë për vrasje, vrasje në tentativë dhe shtytje në kryerjen e veprës penale.

Kjo përkundër faktit që ekzaminimet e ekspertëve mjekësorë e diagnostifikojnë H. Gj., si të sëmurë “Skizofren Paranoid”, mirëpo si të aftë që në moment të kuptojë atë çka ndodhë. Gjithashtu përkundër kërkesave të shumta të mbrojtëses për ta ndërprerë ose pushuar procedurën ndaj tij për shkak të paaftësisë mendore. Asnjë nga këto argumente nuk kishin mjaftuar për ta bindur gjykatën që ta bëjë një gjë të tillë.

Më 30 tetor 2002, një psikiatre e ngarkuar nga prokuroria shtetërore e Muenchen-it, Gjermani, ku i pandehuri gjendej atëherë, e kishte konstatuar sëmundjen fillimisht.“Më 20 mars 2001 zotëri Gj., sulmoi vozitësin e taksisë dhe klientin e tij, ngase ai ishte me gjithë mendjen e tij i bindur që atë donin ta vrisnin”, shkruante mjekja. “Kjo frikë është e bazuar në ngjarjet e dhunës në vendlindje dhe integrimin e dobët në shtetin mikpritës…”.Mjekja gjermane thoshte se në rast të ndërprerjes së tretmanit ndaj Gj.-së, atij kishte 80 për qind gjasa që ti rishfaqej sëmundja.

Në një kontroll specialistike të bërë në shtator 2005 në Spitalin Regjional në Pejë, Repartin Psikiatrik, nga tre mjekë shkruhet se H.Gj., nga Deçani, kishte vuajtur nga kjo sëmundje që prej shtatë vitesh pasi ishte burgosur nga forcat serbe nga të cilët i ishte hequr një pjesë e mëlçisë dhe kishte marrë edhe pasoja psikike.“Bie në sy pamja e jashtme e pa rregullt, kontakti verbal behet dhe mbahet me lehtësi, të folurit e ngadalësuar, humori predominues depresiv, afekti i sheshtë”, shkruajnë mjekët. I njëjti spital, më maj 2008, e vlerëson atë me diagnozën përfundimtare “skizofreni paranoide”.Në janar 2011, këtë konstatim e jep edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Klinika e Psikiatrisë.“H.Gj. vuan nga një sëmundje e rëndë mendore e quajtur çrregullim psikotik-paranoid, e cila afekton sferën e të menduarit, perceptive, vullnetit dhe sferën kognitive”, thuhet ndër të tjera, në vlerësimin e tre specialistëve të QKUK-së.

Dispozitat ligjore të zbatueshme në Kosovë, përkatësisht dispozitat penale të Kodit Penal dhe atij të procedurës Penale në Kosovë, dispozitat e rregullores nr 2004/34, shprehimisht përcaktojnë që kryerësi me çrregullime mendore duhet të trajtohet me respekt dhe humanizëm, e gjithashtu ndaj të njëjtit duhet të shqiptohet masë e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Nushe Kukaj, mbrojtëse e të akuzuarit H. Gj., beson se janë shkelur këto dispozita nga gjykata, prokuroria e hetuesia.

Përkundër ankesave të shumta të avokates drejtuar institucioneve përgjegjëse, klienti i saj nuk është trajtuar konform

sëmundjes së tij gjatë gjithë procedurës për më gjatë se 8 muaj, deklaron mbrojtësja. Kukaj shton se kishte kohë që kishte bërë kërkesën që në gjykim të jetë prezentë edhe eksperti mjekësor, në mënyrë që për së afërmi të përcjellë dhe të shoh nëse është i aftë për t’i përcjellur veprimet që ndodhin në gjykim. Sipas saj, kërkesa i ishte aprovuar pas më shumë se 6 apo 7 muajsh ndërkohë që gjykimi vazhdonte.

Kryetarja e trupit gjykues në këtë rast, Lumturije Muhaxheri, e cila jo rrallëherë është ofenduar nga vetë i akuzuari, deklaron se ka ankesa për ekzaminimet mjekësore, se kanë qenë kundërthënëse dhe në bazë të të cilave gjykata nuk kishte mundur ta ndërpresë apo pushojë procedurën.

Gjykatësja e cila shton se është në hall me këtë të akuzuar dhe më lëndën e komplikuar, deklaron se derisa ekzaminimet mjekësore e kishin diagnostifikuar të akuzuarin H. Gj., si “Skizofren Paranoid”, ekspertiza tjetër e kërkuar nga gjykata për të konstatuar nëse i pandehuri është i aftë të marrë pjesë në seancën gjyqësore, kishte kualifikuar atë si të aftë për këtë.Bëhet fjalë për vlerësimin e fundit, atë të QKUK-së ku po ashtu ishte shkruar: “Kjo sëmundje karakterizohet nga përmirësimet dhe përkeqësimet e herë pas herëshme”. QKUK thotë se i “sëmuri është pjesërisht koshient për gjendjen e tij mendore”.Në bazë të kësaj gjykata nuk ka mundur ta ndërpresë apo pushojë procedurën ndaj tij, përkundër se ai është i diagnostifikuar si skizofren, deklaron gjykatësja.

Avokatja Nushe Mekaj thotë se në më shumë se 12 seanca gjyqësore është dashur që të ndërpriten gjykimet ashtu që të mbahen pauza për shkak të sëmundjes së të pandehurit i cili kishte nxjerrë telashe në gjykim duke ofenduar gjykatën dhe të pranishëm të tjerë.

Gjithashtu drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Isuf Ibërdemaj, ka përvoja jo të mira gjatë kohës sa i pandehuri ishte në këtë institucion. Nga 16 janari i këtij viti, kur është transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prizren për atë në Pejë, i pandehuri ka pasur kriza të vazhdueshme përkundër terapisë. Sipas Ibërdemajt, ka ndodhur që në gjysmë të natës i pandehuri ka bërë veprimet e një të çrregulluari mendor, ka goditur grilat e dhomës derisa është përgjakur, duke lëshuar britma që kanë qenë shqetësuese për të gjithë.

Për këtë arsye, ai edhe kishte kërkuar nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve që të transferojë atë në Burgun e Dubravës, përkatësisht në spitalin psikiatrik të këtij institucioni. Kjo edhe ishte realizuar në fillim të kësaj jave. I pandehuri kishte vazhduar me sjelljet e tij të njëjta edhe në burgun e Dubravës, me çka kishte detyruar përgjegjësit atje që fillimisht ta shoqërojnë më vëllain e tij në një dhomë, i cili ishte i vetmi qetësues për të, dhe tutje ta mbajnë të lidhur për këmbë dhe duar deri në transferin e tij për në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë (QKUK), për trajtim psikik.

Me 7 qershor 2012, Gjykata e Qarkut në Pejë, në bazë të rekomandimeve të ekspertëve mjekësorë dhe drejtorit të burgut të Dubravës, ka vendosur që i pandehuri H. Gj., të dërgohet në QKUK për trajtim psikiatrik, dhe varësisht nga gjendja e tij, do të vendoset tutje për gjykimin.