Gjykata: Kryeministër, Hapi Letrat!
Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte trajton rastin e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), pas fitoreve në Gjykatë ndaj Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës për qasje në dokumentet publike.
Në emision do të flitet për rrugëtimin e gjatë trevjeçar të këtyre dy rasteve në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe rrëfimet e protagonistëve se nga erdhi ideja për t`i paditur dy prej institucioneve më të rëndësishme në vend, Kryeministrinë dhe KPK-në.
Emisioni i sontëm sjell faktet se cili është qëndrimi i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, tash pas 45 ditësh të plotfuqishmërisë së Aktgjykimit, i cili i obligon ZKM-në që t`i lejojë qasje BIRN- it në faturat e shpenzimeve të ish- kryeministrit Hashim Thaçi dhe zëvendësve të tij: Behxhet Pacolli, Hajredin Kuçi, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi, Sllobodan Petroviq dhe Mimoza Kusari-Lila.
Poashtu, “Drejtësia në Kosovë”, sonte sjell edhe qëndrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, pas aktgjykimit i cili i dha të drejtë BIRN- it të ketë qasje në vendimet disiplinore ndaj prokurorëve të cilët ndjekin krimin.
“Drejtësia në Kosovë” sjell rrëfimin e Kujtim Shalës, i vetmi zëvendëskryeministër në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, i cili vetëm një ditë pas kërkesës së drejtuar nga BIRN-i ka ofruar qasje në të gjitha faturat e shpenzimeve të tij në udhëtimet zyrtare.
Përgjigjet se pse zëvendëskryeministri Kujtim Shala ka vendosur të lejojë qasje në shpenzimet e tij dhe a duhet të sillen njëjtë edhe shefi i tij Isa Mustafa, kolegët e tij zëvendëskryeministra e ministra, ekskluzivisht sonte transmetohen në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
“Drejtësia në Kosovë” sjell edhe rrëfimin e protagonistëve kryesorë të BIRN- it, të cilët argumentuan para gjykatës së kanë të drejtë në kërkesën e tyre karshi Zyrës së Kryeministrit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës gjë e cila u dëshmua me dy Aktgjykimet e nxjerra nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia” ku do të shfaqen pamjet ekskluzive nga aksionet e policisë të bastisjeve për fajde në rajonin e Prizrenit.
“Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte nga ora 21:20 në RTK, ndërsa do të reprizohet të hënën në mesditë.