Fillon rigjykimi i “Grupit të Llapit”
Në fund të muajit mars, në departamentin e krimeve të rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë filluar seancat kundër Latif Gashit, i njohur si Lata, deputet i Kuvendit të Kosovës, e gjatë luftës udhëheqës i shërbimit informativ ushtarak; Rustem Mustafa i njohur si Remi dhe në kohën e luftës ka qenë komandant i Zonës së Llapit; dhe Nazif Mehmeti ish-ushtrues detyre i komandantit të Policisë Ushtarake.
Kryetari i trupit gjykues, në gjykimin e “Grupit të Llapit”, Jonathan W. Carol, ka marrë vendim që në gjykim të procedohet vetëm pika tetë e aktakuzës së vitit 2003.
Kjo pikë e aktakuzës akuzon të pandehurit se kishin pasur dijeni për qendrën e ndalimit në vendin e quajtur Llapashticë, ku kishin rrahur dhe torturuar civilë shqiptarë në mënyrën me çnjerëzore. Në aktakuzë thuhet se personat e ndaluar, për të shpëtuar, duhej të tregoheshin luajalë ndaj UÇK-së.
Trupi gjykues lexoi emrat e dëshmitarëve që do të paraqiten nga prokuroria dhe mbrojtja. Gati të gjithë dëshmitarët e paraqitur nga prokurori kanë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, ose anonimë, por ka edhe dëshmitarë të cilëve do t’u lexohen vetëm deklaratat, pasi që tanimë kanë vdekur. Edhe mbrojtja paraqiti dëshmitarët e saj.
Derisa po deklaroheshin lidhur me dëshmitarët, mbrojtësi Mexhid Syla, theksoi se mbrojtja kishte kërkuar nga prokurori ditarin e Latif Gashit, të cilin e kishte marrë policia gjatë bastisjes së zyrës së Gashit dhe e kishte emëruar si prova numër 49.
Prokurori Charles Hardwey, tha se as ai e as hetuesit e tij nuk e dinë se ku gjendet ditari i Latif Gashit dhe se ai asnjëherë nuk e kishte parë ditarin e tillë. Gjykatësi Carol, kërkoi një raport të detajuar nga hetuesi i çështjes se çfarë ka ndodhur me ditarin e Latif Gashit.
Në seancat e radhës, vetë të pandehurit dhanë mbrojtjen e tyre ku edhe e mohuan përfshirjen e tyre në qendrën e ndalimit në Llapashticë. Ata përmes deklaratave mohuan që në Llapashticë të ketë pasur ndonjë marrje në pyetje ose ndonjë shkelje të të drejtave të të ndaluarve.
Sipas të pandehurve përgjegjësia komanduese ka qenë e shtabit të zonës.
Në seancat e radhës do të ndodhë paraqitja e provave dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve, ku për dëshmitarë të mbrojtur seancat do të jenë të mbyllura për të gjithë.