Emision Drejtesia ne Kosove "Prokuroria pa energji"

Hulumtimi sjell faktet se si prokurorët nga qyteti që ka shkallën më të lartë të kriminalitetit shpeshherë nuk kanë energji elektrike në objektin e ri dhe atyre u duhet të dalin në “kojshi” për t`i shtypur kërkesat urgjente për caktimin e paraburgimeve.

Prokurorët e Pejës, sipas Agron Galanit kryeprokuror, vazhdojnë të jenë në hall të madh nëse janë duke intervistuar të dyshuar, apo duke kryer punë urgjente të prokurorisë e ndodh të ndërpritet rryma. Puna atëherë duhet ndalur, e prokurorët duhet të gjejnë zgjidhje duke i shënuar deklaratat me dorë, apo diku në “kojshi”.

“E kemi një agregat por nuk i plotëson kushtet dhe nuk kemi mund ta aktivizojmë,” tha Galani.

Në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përgjegjësinë për mungesën e gjeneratorit e bartin tek Ministria e Administratës Publike, pasi sipas tyre kjo ministri në projektin e ndërtimit e ka pasur për obligim ta sigurojë edhe gjeneratorin për këtë objekt.

“Drejtësia në Kosovë”, ju sjell edhe deklaratën e Ministrisë së Administratës Publike. Sipas saj, gjeneratori nuk ka qenë i paraparë në projekt dhe se kjo është përgjegjësi e vet Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.

Në pjesën e dytë të emisionit ndiqni filmimet nga aksioni ekskluziv i policisë në zbulimin e laboratorëve të prodhimit të vizave false.

Si arritën kontrabanduesit të prodhojnë viza sllovene e polake nga banesat në Prishtinë e Fushë-Kosovë? Çfarë mjetesh janë përdorur dhe sa viza janë prodhuar në këta laboratorë?