“DREJTËSIA” E STUPCIT
Një hulumtim i emisionit “Drejtësia në Kosovë” sjell fakte se organet shtetërore po vazhdojnë të dështojnë në trajtimin e dhunës në familje.
Hajrie Aliu viktimë e dhunës në familje ka rrëfyer tregimin e saj tragjik, për rrahjet dhe maltretimet që ajo i pati gjatë martesës tre vjeçare në Podujevë.
“Jam rrahur çdo ditë nga burri, kur nuk më ka rrah në mbrëmje më ka rrahë në mëngjes, kur nuk më ka rrahë në mëngjes më ka rrah në mbrëmje”, rrëfen Hajria për “Drejtësia në Kosovë”.
Si pasojë e dhunës së papërballueshme, Hajria tentuar që pesë herë të vrasë veten përfshirë tentativën për t’u hedhur në bunar në kohën kur ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë.
“Nga ‘Domestosi’ të cilin e kam pirë më është ngulfatur fyti dhe sot nuk mundem të ha mish”, ka rrëfyer Hajria.Për një vit rresht, hulumtuesit e “Drejtësia në Kosovë” kanë hulumtuar në dosjet të cilat policia prokuroria e gjykata i kanë grumbulluar në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj Hajrie Aliut.Hulumtuesit kanë gjetur se gjykata e prokuroria nuk ishte marrë seriozisht me trajtimin e këtij rasti. Made në disa raste gjykata kishte nxjerrë vendime mjaft të çuditshme.
Gjykatësi i rastit, për një ditë kishte nxjerrë dy vendime. Me të parin burrin e Hajrisë e kishte dënuar me gjobë ndërsa në tjetrin kishte shqiptuar një vërejtje gjyqësore, një praktikë e pazakontë në gjyqësorin kosovar.Hulumtimi tregon se veprimet për të cilat burri ishte dënuar me dënime kaq të lehta ishin shumë të rënda përfshirë goditja e gruas me grushte, shqelma e shkopinj druri.
Hulumtimi poashtu tregon se në të gjitha rastet e tjera gjykata kishte shqiptuar dënime të ngjashme alternative.
Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia” me pamje ekskluzive të djegies së disa autobusëve në rajonin e Mitrovicës.
“Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte nga ora 21:20 në RTK, ndërsa do të reprizohet të hënën në mesditë.