Dëshmojnë familjarët e Bllacës dhe Kadri Veseli

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është duke vazhduar gjykimi në rastin e njohur në publik si Bllaca II. Në këtë çështje të akuzuar janë Fahredin Gashi, i dënuar me 18 vjet burgim në rastin Bllaca I, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shaban Syla. Këta akuzohen se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe dy vepra të vrasjes së rëndë në tentative, përkatësisht se kanë vrarë Ibush Kllokoqin dhe kanë tentuar të vrasin Adem Salihajn dhe Ismet Arifin.

Kolegji i gjykatësve pas dëgjimit të dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllacës, ftoi për të dëshmuar Gani Gecin, ish deputetin e Kuvendit të Kosovës, familjarët të Nazim Bllacës dhe Kadri Veselin, shef të shërbimit informativ të Kosovës.

Njëri prej dëshmitarëve, Gani Geci ka dëshmuar me gjashtë qershor, ani pse seanca e tij ishte paraparë që të mbahej me pesë qershor. Shtyrjen e seancës e kishte njoftuar zyrtarja ligjore e EULEX-it pa dhënë arsye për shtyrje. Dëshmitari Geci, gjatë kohës sa ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, e kishte bërë publike CD-në e Nazim Bllacës, ku Bllaca kishte dëshmuar të gjitha krimet që ai dhe grupi i tij, tani në cilësinë e të pandehurve, i kishin kryer.

Geci tregoi se si kishte ardhur deri tek kontakti me Nazim Bllacën dhe se si pastaj së bashku me të kishin shkuar për në Ferizaj tek Adem Salihaj, dhe se Salihaj e kishte xhiruar deklarimin e Nazim Bllacës.

Geci tregoi se para se ta publikonte CD-në, një kopje të saj ia kishte dërguar edhe kryeministrit Hashim Thaçi, por kur e kishte parë se askush nuk po ndërmerrte asgjë për këtë punë ai kishte vendosur ta bënte publike CD-në për opinionin publik.

Kjo seancë është përcjellur me disa parregullsi pasi që në prani të kolegjit, prokurores dhe policisë, Gani Geci dhe i pandehuri Shaban Syla kanë fyer njëri tjetrin. Për këtë, Gecit i është tërhequr vërejtja disa herë nga kryetari i kolegjit.
Në seancat e radhës dëshmuan familjarët e Bllacës, të cilët ishin ftuar nga prokuroria për lidhjet e Bllacës me të pandehurit.

Osman Bllaca, vëllai i Nazim Bllacës para kolegjit të gjykatësve dëshmoi se si ai kishte shërbyer disa nga të pandehurit kur ata kishin ardhur në shtëpinë e Bllacës për ta kërkuar Nazim Bllacën. Ky dëshmitar tregoi se nga Azem Bllaca e kishte marrë një mesazh verbal që i kishte dërguar Fahredin Gashi prindit të tij lidhur me atë që kishte deklaruar Nazim Bllaca për Fahredin Gashin. I njëjti po ashtu tregoi se Bllaca kishte pas një sulm në kokë dhe atë e kishte shëruar Fatmir Xhelili.

Osman Bllaca u përgjigj edhe për fotografinë që është provë e gjykatës, në të cilën ai shihet me një pistoletë shkorpion në dorë. Dëshmitari tha se foton e kishte bërë kur kishte qenë vetëm 16 vjeçar dhe shkorpionin e kishte marrë nga Nazim Bllaca.

Pas të vllaut, në seancë gjyqësore ka dëshmuar Idriz Bllaca, babai i Nazim Bllacës, i cili para kolegjit të gjykatësve dëshmoi për kërcënimet që kishte marrë ai dhe familja e tij. Ky dëshmitar gjatë dëshmisë së tij ishte kontradiktor, pasi që ai fillimisht tha se nuk e di nëse Nazim Bllaca kishte qenë jashtë shtetit ndonjë herë. Për këtë ai disa herë u ballafaqua me deklaratat e dhëna në polici dhe kjo pasi që ato që deklaronte në seancë ndryshonin.

Idriz Bllaca dëshmoi se për vrasjen e djalit të tij, Nazimit, Hyzri Ramës i ishin premtuar 100 mijë euro por ai kishte pranuar vetëm 4 mijë dhe të tjerat do ti merrte pas vrasjes. Dëshmitari tha se nuk di që djali i tij të ketë munguar në shtëpi për dy vite, deklaratë kjo që ishte në kundërshtim me deklarata te dy djemëve të tij në seancat e mëparshme.

Dëshmitari tjetër, Metush Jusufi,ka rrëfyer rrethanat në të cilat Fahredin Gashi e Sadik Abazi i kishin kërkuar atij që të ndikonte tek familja e Nazim Bllacës dhe të përhapte fjalë se Nazim Bllaca është i çmendur, në shkëmbim të të hollave, të cilat ai i kishte refuzuar.

Për të dëshmuar lidhur me ShIK-un dhe strukturën e tij në sallën e gjykimit u paraqit edhe ish shefi i ShIK-ut, Kadri Veseli. Ai para kolegjit dëshmoi se as Nazim Bllaca e as gjashtë  të akuzuarit në këtë çështje nuk kanë qenë pjesë e ShIK-ut. E për të dëmtuarit Adem Salihaj e Ismet Arifin tha se i njeh vetëm si emra kurse Ibush Kllokoqin tha se ka dashur të takohej me të por që nuk ka arritur. Veseli kishte dashur të takohej me Kllokoqin, pasi që ai kishte pas shumë informata për shërbimin sekret serb, të cilat mund të ju ndihmoni shumë gjatë punës së tyre.

Dëshmitari Veseli tregoi se një agjent i ShIK-ut, kishte pas kontakte dhe takime me Adem Salihajn, emrin e të cilit ia dha të shkruar vetëm kryetarit të kolegjit, me arsyen se po keqpërdoren emrat.

Më pas dëshmitari është pyetur më shumë për veprimtarinë dhe organizimin e brendshëm që ka pas ShIK-u nën drejtimin e tij. Dëshmitari nuk tregoi se    si ishte zgjedhur shef i ShIK-ut por tregoi se baza juridike e ekzistimit të ShIK-ut ka qenë marrëveshja e Rambujesë, me të cilën marrëveshje ishte paraparë edhe krijimi i një shërbimi sekret për qeverinë e përkohshme.

Dëshmitari ka treguar për gjykatën se para se të bëhej shef i ShIK-ut ka qenë udhëheqës i shërbimit të zbulim kundër zbulimit të UÇK-së. Ndërkohë që ShIK-u kishte filluar veprimtarinë e tij në marsin e vitit 1999, ndërsa detyrat dhe financat deri në vitin 2000 i kishte marrë nga qeveria e përkohshme.

Sipas dëshmitarit paga mesatare në fillimet e shërbimit ka qenë 150 euro ndërsa në mbylljen e tij ishte 200 euro, ndërsa nuk ka treguar se sa e kishte rrogën vet ai.

Tutje dëshmitari ka treguar se fillimisht shërbimi i kishte afër 30 anëtarë e në mbyllje të tij i kishte pas 92 anëtarë. Po ashtu tregoi se për të hyrë në ShIK kriter kryesor ka qenë pastërtia nacionale, kurse ai personalisht i kishte takuar të gjithë anëtarët e shërbimit.

Dëshmitari Veseli, kolegjit të gjykatësve i dorëzoi një skemë me strukturën e ShIK-ut, e që kolegji më pas i mori leje atij që ta bëjë publike këtë strukturë.

Në këtë skemë shihet se Kadri Veseli ishte numri një i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe pasohej nga Ilmi Reqica si zëvendësshef i SHIK-ut. Latif Gashi, tash deputet i PDK-së, ishte Drejtor i Përgjithshëm e deputeti tjetër i kësaj partie Fatmir Xhelili udhëhiqte Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Po ashtu një deputet tjetër i PDK-së Fadil Demaku udhëhiqte drejtorinë kundër terrorizmit e drejtori i Trepçës Ferat Shala udhëhiqte drejtorinë e Inteligjencës, ndërsa Ilmi Ramadani udhëhiqte Drejtorinë e Informimit e Analizave.

Tutje Veseli dëshmoi para kolegjit se dëshmitari i prokurorisë, Nazim Bllaca, nuk kishte qenë pjesë e ShIK-ut e as që kishte kryer punë ndonjë herë për ShIK-un. Dëshmitari tha se ai nuk ka pas një nofkë të tillë siç pretendon Bllaca dhe se ShIK-u e kishte zënë Bllacën duke e keqpërdorë emrin e saj, e për këto e kishin lajmëruar UNMIK-un.

Dëshmitari tregoi se edhe i vetëshpalluri tjetër anëtar i ShIK-ut, Naim Miftari, nuk ka qenë pjesë e ShIK-ut por nga informatat që ka marrë ShIK-u nga shërbimet e huaja ai ishte një manipulues nafte.

Seancat e radhës në rastin Bllaca II do të vazhdojnë gjatë muajit korrik.