Dëshmitari X i papranueshëm për gjykatën

Gjatë marsit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kanë vazhduar seancat në rastin e njohur për publikun si Rasti Kleçka. Gjatë këtij muaji, jo të gjitha seancat që ishin caktuar u mbajtën.

Disa prej seancave të caktuara në fillim të muajit, janë shtyrë për shkak të gjendjes shëndetësore të të pandehurit Behlul Limaj, i cili në pjesën e dytë të seancës së 1 marsit u detyrua të merrte ndihmën e mjekut,për shkak të problemeve kardiologjike.

Prokurori propozoi që procedura të ndahet,gjë e cila hasi në kundërshtim nga ana e mbrojtjes. Kolegji vendosi që të ndante procedurën për të pandehurin Behlul Limaj.

Mbrojtja ka ofruar argumentet e saj për papranueshmërinë dhe mosbesueshmërinë e dëshmive dhe ditarëve të dëshmitarit bashkëpunues Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X.

Nga ana tjetër, prokurori me shkrim i ishte përgjigjur mbrojtjes, duke kërkuar nga kolegji që të gjitha deklaratat dhe dëshmitë e dëshmitarit X të pranoheshin si të besueshme dhe të pranueshme. 

Gjykata, pasi që dëgjoi palët, mori aktvendim me të cilin të gjitha deklaratat e dhëna nga dëshmitari bashkëpunues, Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X, si dhe të gjithë ditarët e tij i shpalli të papranueshme. Gjykata i ka veçuar nga shkresat e lëndës të gjitha provat e dëshmitarit X.

Prokurori, edhe pse provat u shpallën të papranueshme, nuk hoqi dorë nga aktakuza. 

Gjykata në të njëjtën ditë, pas propozimit të mbrojtjes, mori aktvendim me të cilin të gjithë të pandehurve iu hiqet masa e sigurisë. Kështu që të pandehurit u liruan nga paraburgimi dhe nga arresti shtëpiak.

Në këtë seancë gjykata në pajtim me palët, u morën vesh që në mënyrë të shkruar të paraqiten fjalët përfundimtare të gjithëve. Në këtë rast kolegji i gjykatësve bëri shkelje të KPPK-së, përkatësisht nenit 371 . Ky nen në mënyrë të qartë tregon se gjykata, pas prezantimit të provave, vazhdon me marrjen në pyetje të pandehurve të cilët nuk e kanë pranuar fajësinë.

Prokurori, në fjalën e tij përfundimtare, kërkoi dënimin e të gjithë të pandehurve. Sipas tij, trupat në Kleçkë janë gjetur falë deklaratave të dëshmitarit X dhe se dëshmitë dhe dëshmitarët tjerë e kanë konfirmuar krimin. Sipas prokurorit, gjykata ka prova të mjaftueshme për t’i shpallur fajtor. Kolegji në seancën e shpalljes e kritikoi prokurorin për mos respektimin dhe shkeljen e nenit 379 të KPPK-së,  kjo pasi që prokurori fjalën e kishte shkruar vetëm me dy fletë.

Mbrojtja në fjalën përfundimtare ka kërkuar që të gjithë të pandehurit të lirohen nga çdo akuzë e prokurorit, pasi që provat e tij janë të papranueshme dhe se nuk kanë ndonjë vlerë për procesin.

Pas pranimit të fjalëve përfundimtare, kolegji mori dy vendimi, fillimisht kolegji duke u bazuar në nenin 385 të KPPK-së me aktvendim vendosi që çështjen ta rihap pjesërisht dhe atë për të pandehurit Fatmir Limaj, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Krasniqi, për shkak sqarimit të provave të mbetura, ekzaminimin e dëshmitarëve duke i dhënë mundësi edhe mbrojtjes në ballafaqim dhe pyetje. 

Me aktgjykim të pafajshëm në mungesë të provave u shpallën Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Arsyetimi i gjykatës në vendimin e rihapjes pjesërisht të gjykimit ishte se të pandehurit që kanë mbetur kishin pozita komanduese dhe gjykata dëshiron të dëgjoi dëshmitarët dhe provat që janë mbetur pas shpalljes së vendimit mbi mos pranueshmërinë e dëshmive të dëshmitarit Zogaj.