Çështje të tjera të monitoruara nga BIRN gjatë tetorit

Rrezikohen mijëra raste për shkak të afatit të parashkrimit në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Malishevë Që nga fillimi i vitit 2010, 4100 raste të reja janë regjistruar në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje të Malishevës, duke iu shtuar në këtë mënyrë edhe rreth 3000 rasteve të pazgjidhura nga viti 2009. Për shkak të numrit të madh të rasteve të pazgjidhura, afati i parashkrimit rrezikon të kaloj për shumë nga këto raste. Sipas kryetarit të kësaj gjykate, Lulzim Paçarizi, ngarkesa me raste të pazgjidhura është shkaktuar për shkak të kapaciteteve të kufizuara të gjykatës; vetëm një gjykatës merret me të gjitha këto raste. Ai shtoi se edhe përkundër kërkesës së tij drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Malishevës vazhdon të përballet me gjithë këtë ngarkesë të rasteve të pazgjidhura dhe mungesë të efikasitetit.

Vendimi i marrë nga gjykata nuk respektohet nga komuna e Suharekës Një vendim i marrë nga Gjykata Komunale e Suharekës për ndërprerjen e ndërtimit të një qendre shëndetësore në fshatin Reçan, nuk është respektuar nga komuna. Komuna ka hartuar projektin për ndërtimin e qendrës shëndetësore, të financuar nga Ministria e Shëndetësisë, dhe kishte ndarë një parcelë afër varrezave të fshatit për ndërtimin e saj. Komuniteti islam kishte kundërshtuar këtë dhe kishte paditur komunën në Gjykatë. Derisa mosmarrëveshja të mos zgjidhej, Gjykata Komunale e Suharekës kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve të ndërtimit. Komuna, megjithatë e injoron këtë ndalesë të vendosur nga gjykata.

Gjykatësi urohet përmes telefonit për emërimin në postin e Kryetarit të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit gjatë seancës Gjatë seancës dëgjimore të rastit P.127/10 për “Rrezikim të trafikut publik nga dehja”, të mbajtur në Gjykatën e Qarkut të Gjilanit, gjykatësi udhëheqës është përgjigjur tri herë në telefon. Edhe pse gjykatësi deklaroi se është thirrur nga Gjykata Supreme e Kosovës, monitoruesi i BIRN-it ka vërejtur se të gjitha telefonatat ishin për t’i uruar emërimin në postin e Kryetarit të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit.

Gjykatësi mungon në seancë për shkak të pjesëmarrjes në një seminar në Shqipëri Dëgjimi i rastit P.18/05 për “Tentim vrasje”, i caktuar për 27 tetor është shtyrë pasi që kryesuesi i trupit gjykues, i cili gjithashtu mbanë postin e Kryetarit të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, mungoi. Në vend se të merr pjesë në seancë ai mori pjesë në një seminar në Shqipëri.

Seanca dëgjimore fillon pa prezencën e prokurorit publik Gjatë dëgjimit të rastit .128/10 në lidhje me “Mbajtje nën kontroll, posedim dhe përdorimi i paautorizuar i armëve”, të mbajtur në Gjykatën e Qarkut të Gjilanit, një shkelje procedurale është evidentuar pasi që dëgjimi ka filluar pa prezencën e prokurorit publik. Për më tepër, udhëheqësi i trupit gjykues deklaroi prezencën e tij edhe pse ai nuk ishte aty. Pas pyetjes së të dyshuarit për informatat personale, palët është dashur të presin për ardhjen e prokurorit i cili do duhej të lexonte akuzat me të cilat ngarkohej i dyshuari, mirëpo seanca vazhdoi edhe pa të.

Prokurori publik braktis seancën ende pa përfunduar Gjatë dëgjimit të rastit P.no.86/09 në lidhje me “Vjedhje të energjisë elektrike”, të mbajtur në Gjykatën Komunale të Deçanit, prokurori publik braktisi seancën dëgjimore gjatë kohës sa i dyshuari ishte duke dhënë deklaratën e tij. Ai u largua me lejen e gjykatësit udhëheqës dhe u kthye në seancë për fjalën përfundimtare.
Prokurori publik mungon në dëgjimin e rastit penal
Në dëgjimin e rastit P.102/10 në lidhje me “Tentim vrasje”, të
mbajtur në Gjykatën e Qarkut të Gjilanit, prokurori publik i
caktuar për rastin mungoi. Sipas gjykatësit udhëheqës, ai ishte në spital në një operacion. Për këtë arsye dëgjimi është shtyrë për një datë të mëvonshme.

Seanca dëgjimore mbahet pa prezencën e prokurorit publik Dëgjimi i rastit P.no.88/10 për “Vjedhje të energjisë elektrike” të mbajtur në Gjykatën Komunale të Deçanit, u zhvillua pa prezencën e prokurorit publik. Sipas gjykatësit udhëheqës, “prokurori publik ishte në një dëgjim tjetër dhe nuk mund të ishte njëkohësisht në dy vende të ndryshme”. Duke iu referuar mungesës së stafit, gjykatësi në mënyrë indirekte kritikoi Prokurorinë Komunale të Pejës për caktim të vetëm një prokurori për Gjykatën Komunale të Deçanit. Në mungesë të prokurorit, gjykatësi udhëheqës lexoi akuzën si dhe vazhdoi me
seancën dëgjimore. Palëve iu janë lexuar të drejtat dhe marrë deklaratat e tyre edhe pse ky veprim kërkon prezencën e prokurorit publik.

Gjykatësi lexon arsyetimin para leximit të verdiktit Në rastin P.no.179/09 për “Tentim vrasje”, të mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prizren, gjykatësi kryesor filloi me leximin e arsyetimit të verdiktit, para leximit të verdiktit fillimisht, duke shkelur në këtë mënyrë Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.