Burimet e kundërproduktivitetit

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, AGPK, po kërkon në vazhdimësi heqjen e dy neneve, 37 dhe 38, nga projektkodi penal. Neni i parë flet për përgjegjësinë penale të hierarkisë së mediave, i cili duhet të hiqet në tërësi, ndërsa tjetri për burimet. Por heqja e tërësishme e nenit 38 është e gabueshme pasi ai, me një modifikim, do të shërbente për ta mbrojtur gazetarin prej detyrimit që t’i zbulojë burimet e veta nëse kjo kërkohet prej gjykatës. Praktikat më të mira sugjerojnë se ai do të mund të modifikohej ashtu që të kërkonte lejimin e zbulimit të burimeve vetëm në rast se informatat janë të domosdoshme për të parandaluar sulmin ndaj jetës së njeriut.

Mirëpo nëse ky nen hiqet e jo modifikohet, atëherë gazetarët do të mund të thirren në gjykatat e Kosovës, si të gjithë qytetar tjerë, dhe kështu sërish prej tyre mund të kërkohet zbulimi i burimeve sepse s’do të ekzistojë më asnjë nen që ia ndalon gjykatës të kërkojë nga gazetari zbulimin e burimit të informacionit. Kjo ngase, nëse hiqet neni 38, gazetari do të trajtohet si qytetar i thjesht i cili në bazë të ligjit të Kosovës dënohet me burg dhe me gjobë nëse refuzon të dëshmojë për burimet e informatave që gjykata i kërkon prej tij apo prej saj.

Të gjithë qytetarët, në çfarëdo rendi juridik që jetojnë, në rast së ftohen nga gjykata që të dëshmojnë, obligohen të japin informacionet që dinë, në të kundërtën ata sillen në gjykatë me forcë nga policia, paguajnë gjobë ose dënohen me burg.

Projektkodi penal i Kosovës, që pritet të dalë në votim së shpejti, përmban nenin 38 për mbrojtjen e burimeve i cili privilegjon gazetarët në krahasim me qytetarët e tjerë, duke ia ndaluar gjykatës që t’i urdhërojë ata të tregojë burimet. Falë këtij neni, gazetarët nuk guxojnë të pyeten apo të detyrohen që të tregojnë burimet se nga i marrin informatat për të cilat raportojnë me përjashtim të, siç është tash, disa rasteve. Ky privilegj është arsyeja më e fortë pse ky nen nuk duhet të hiqet krejtësisht, por duhet të jetë pjesë e kodit, nëse për asgjë tjetër, për hatër të punës së gazetarëve e cila varet nga burimet dhe për vetë burimet që flasin duke e ditur që janë të mbrojtur.

Për më tepër, burimet mbrohen me ligj në tërë shtetet e Bashkimit Europian, pa asnjë përjashtim, dhe gati në të gjitha vendet e rajonit përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë. Se shtetet duhet të ofrojnë mbrojtje eksplicite dhe të qartë të të drejtës së gazetarit që të mbrojë burimin e informatave, me disa kufizime, sugjeron edhe Këshilli i Europës me rekomandimin R(2000)7 për të drejtën e gazetarëve që të mos zbulojnë burimet e informatave.

Kundërargumenti i pritshëm i pasjes së një neni të tillë mund të jetë se ky nuk do të zbatohet “si duhet” në Kosovë dhe se mund të “keqinterpretohet”. Garant që mbrojtja e burimeve nuk do të mund të keqpërdoret nga sistemi gjyqësor në Kosovë është Gjykata Kushtuese e cila është e obliguar që të marrë parasysh Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Me shtetet të cilat e kanë të rregulluar me ligj por nuk e përfillin këtë, merret Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila disa herë ka gjetur shkelje të nenit 10 për lirinë e shprehjes së Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut pikërisht në raste që kanë të bëjnë me mbrojtjen e burimeve. Një rast i tillë është rasti Godëin vs. Mbretëria e Bashkuar ku gazetari ishte urdhëruar nga gjykata që të zbulonte identitetin e burimit i cili kishte ofruar informata konfidenciale të një kompanie.
Është e rrezikshme për rrethanat në të cilat zhvillohet gazetaria në Kosovë dhe juridikisht absurde në kuptimin e acquis communataire, që mbrojtja e burimeve të mos parashihet fare në legjislacionin e Kosovës vetëm nga frika se nëse ky nen është pjesë e kodit penal automatikisht nënkupton cenim të lirisë së mediave!

E vetmja çështje që meriton diskutim lidhur me mbrojtjen e burimeve është përmbajtja e këtij neni e cila duhet të jetë në pajtim me standardet europiane. Neni 38 duhet të riformulohet me përjashtimin se gazetari duhet të zbulojë burimin e informatave vetëm në rast se informatat janë të domosdoshme për të parandaluar sulmin ndaj jetës së njeriut.

Një formulim i tillë do të ishte i përafërt me ligjin belg për mbrojtjen e burimeve i cili sipas Këshillit të Europës, Federatës Europiane të Gazetarëve, Unionit Europian të Transmetuesve, është ligji më gjithëpërfshirës dhe modern për rregullimin e mbrojtjes së burimeve.
Në të kundërtën, nëse burimet nuk do të mbrohen me ligj, do të pësojnë vetë gazetarët të cilët do të hasin në vështirësi që të mbledhin informata nga burimet që nuk do të flasin. Skenari më së paku i dëshirueshëm është që të hiqet ky nen dhe pastaj të kthehet qoftë në kodin penal ose përmes një ligji të veçantë (i cili prapë do t’i referohet kodit penal), pas kritikave të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.

Po ashtu, nëse hiqet krejt neni 38 në vend se të modifikohet, do i bie që me kërkesën që po e bën vetë AGPK-ja, e cila do të duhej t’i përfaqësonte interesat e komunitetit të gjerë të gazetarëve, me gjithë respektin ndaj saj, do të arrihet rezultati që gazetarët të mos kenë kurrfarë privilegji para gjykatës, në krahasim me qytetarët tjerë. Ligji aktual, pa kufizimet që do i garantonte neni 38, e detyron gazetarin, si çdo qytetar, t’i zbulojë tē gjitha informatat që i ka lidhur me një rast.