Buletini Mujor “Drejtësia në Kosovë” Nr. 16

1. Rekomandim për përfaqësimin e Gjykatave për Kundërvajtje në Këshillin Gjyqësor të Kosovës

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, i cili është produkt i organizatës joqeveritare Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Ballkanike (BIRN), më 5 shkurt 2012 ka transmetuar emisionin Gjendja e Gjykatave Komunale për Kundërvajtje.

Në këtë emision, ndër të tjera, është shtjelluar çështja e mospërfaqësimit të gjykatave të kundërvajtjes në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe si vazhdimësi e emisionit, BIRN-i ka drejtuar një rekomandim për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK).

KGjK-ja rekomandohet që të sigurojë përfaqësimin e gjykatave për kundërvajtje. Ajo që ka dalë si fakt brengosës nga ky emision dhe hulumtimi i bërë është se mospërfaqësimi i Gjykatave të Kundërvajtjes ka ndodhur për shkak të mangësive në bazën ligjore. Sidoqoftë BIRN-i konsideron që mospërfaqësimi i tyre në institucionin e KGJK-së bie ndesh me nenin 1 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, sipas të cilin ai është përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e të gjitha gjykatave. BIRN-i konsideron që mospërfaqësimi i gjykatave për kundërvajtje paraqet diskriminim ndaj këtyre gjykatave dhe gjykatësve të cilët shërbejnë në ato gjykata.

Arsyetim i rekomandimit vazhdon me atë që përveç këtij neni, në bazë të Planit të Zbatimit për Ligjin e Ri të Gjykatave, KGjK do të menaxhojë ristrukturimin e plotë të sistemit gjyqësor pasi që të gjitha gjykatat do t’i nënshtrohen transformimit të rrënjësishëm në bazë të strukturës dhe juridiksionit.

KGjK pritet të marrë vendime të rëndësishme për fatin e të gjitha gjykatave përfshirë gjykatat për kundërvajtje të cilat nuk do të shkrihen në sistemin e ri që nga fillimi i vitit 2013. Prandaj, BIRN konsideron që përfaqësimi i gjykatave për kundërvajtje në KGjK do të bënte më të lehtë këtë periudhë tranzitore.

Duke mos qenë të pranishëm në mbledhjet e KGjK, gjykatësit e gjykatave për kundërvajtje jo vetëm që e kanë të vështirë të jenë të informuar për të rejat në fushën e gjyqësorit, por edhe e kanë të vështirësuar, për të mos thënë të pamundësuar, të parashtrojnë kërkesa të ndryshme që kanë të bëjnë me avansimin e ushtrimit të detyrave të tyre. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese i ka rekomanduar KGJK-së që në periudhën sa më të shpejtë të sigurojë përfaqësimin e gjykatave të kundërvajtjes në këtë institucion.

2. Pezullohet përkthyesi i Prokurorisë Komunale të Prizrenit

Prokuroria e Shtetit, përkatësisht Sekretariati i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka pezulluar nga puna Agron Qerretin. Pezullimi ka ndodhur tri ditë pasi që emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi emisionin për ryshfetin dhe mashtrimin nga një përkthyes në Prokurorinë Komunale në Prizren.

Emisioni kishte trajtuar rastin e një qytetari, i cili është mashtruar nga përkthyesi dhe një person tjetër që e kishte vënë në kontakt me të. Përkthyesi ishte prezantuar si prokuror, i cili do ta ndihmonte për një lëndë në Gjykatën e Qarkut në Prizren që kishte të bënte me palën, duke i premtuar shpejtim të procedimit të lëndës në këmbim të shumës prej 1500 eurosh.

Rasti është paraqitur në polici dhe te kryeprokurori nga viktima, pasi që përkundër pagesës së shumës, përkthyesi nuk kishte kryer shërbimet e premtuara. Pas hetimeve, policia ka ngritur kallëzim penal për personin tjetër dhe Agron Qerretin, por çuditërisht Prokuroria Komunale në Prizren e ka hedhur poshtë kallëzimin penal për këtë të fundit, gjë që ka shtyrë viktimën t’i drejtohet Prokurorisë së Shtetit. Kjo e fundit ka deleguar lëndën në Prokurorinë Komunale në Gjilan, e cila ka ngritur propozim akuzë për Agron Qerretin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit nga neni 261, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

3. Rasti Kleçka vazhdoi gjatë shkurtit

Edhe gjatë muajit shkurt, BIRN-i ka monitoruar Rastin Kleçka, në të cilin si të pandehur janë Fatmir Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarë të tij. Të gjithë akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe të të burgosurve.

Në seancën e fundit për muajin janar, mbrojtja e Limajt lajmëroi të pranishmit se nga kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka kërkuar që prokurori special, Maurizio Salustro, të shkarkohet nga detyra e prokurorit të çështjes. Mbrojtja kërkesën e kishte bazuar në ditarin e “Dëshmitarit X”, Agim Zogaj, i cili në disa pjesë të ditarit, ndër të tjerash, e kishte akuzuar prokurorin se e kishte shtyrë të nënshkruante një deklaratë të pa përkthyer dhe se kishte pas presion në të. Kërkesa e mbrojtjes që prokurori të shkarkohej nga detyra e prokurorit në çështjen në Rastin Kleçka është refuzuar nga kryeprokurorja.

Fillimisht seancat ishin caktuar për pesë ditë radhazi, por meqë anëtarja vendase e kolegjit ishte e sëmurë, seancat janë shtyrë për fundin e shkurtit. Pastaj prokurori në një seancë të veçantë ka kërkuar nga kryetari i kolegjit që të zëvendësojë masën e arrestit shtëpiak në paraburgim për Fatmir Limajn. Kjo sipas prokurorit, pasi Limaj e kishte shkelur urdhrin e gjykatës në disa pika. Mbrojtja ka argumentuar të kundërtën dhe Fatmir Limaj i ka kërkuar falje kryetarit të kolegjit, nëse e kishte shkelur ndonjëherë urdhrin. Kryetari i kolegjit në fund nuk e ndryshoi masën, kështu që e la masën e arrestit shtëpiak për Limajn.

Kjo seanca vuri në pah mungesën e koordinimit ndërmjet mbrojtësve të të pandehurve. Avokati Karim Khan, në pjesën e parë të seancës, ka argumentuar para kolegjit se para se të flitet për thirrjen si dëshmitar të prokurorit të çështjes duhet të diskutohet lidhur me besueshmërinë e provave e pastaj për pranueshmërinë e tyre. Por avokati Bajram Tmava deklaroi se mbrojtja duhet fillimisht të kërkojë nga kolegji që të diskutohet për prokurorin se a duhet të jetë dëshmitar në këtë çështje, e pastaj të diskutojnë për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e provave. Këtu një pjesë e mbrojtjes e mbështeti qëndrimin e avokatit Tmava, përfshirë edhe avokati tjetër i Limajt, Tahir Recaj. Kjo e vendosi në një pozitë të palakmueshme avokatin Karim Khan, para kolegjit, pasi që i njëjtit argumentoi për më shumë se një orë se cilat çështje kanë përparësi në vlerësim. Duke e parë një situatë të tillë, ndërhyri avokati Florim Vërtopi, i cili kërkoi nga kolegji një pushim ashtu që mbrojtja të unifikojë qëndrimin, gjë që nuk ndodhi.

Kolegji, pas një konsultimi, vendosi që të dëgjonte palët në argumentimin se përse prokurori duhet të jetë dëshmitar në këtë çështje, dhe pasi që të merret vendim lidhur me prokurorin, kolegji do të dëgjonte palët në argumentimin e besueshmërisë dhe pranueshmërisë së provave.

Pas vendimit të gjykatës, mbrojtja sipas radhës argumentoi arsyet pse prokurori duhet të ishte dëshmitar në këtë çështje. Argumenti kryesor i mbrojtjes ishte se “Dëshmitari X” në ditarin e tij kishte akuzuar prokurorin për mënyrën se si e kishte trajtuar dhe si prokurori i kishte dhënë deklarata për të nënshkruar pa qenë të përkthyera, duke përfshirë presionin që kishte pas “Dëshmitari X”, gjatë kësaj kohe. Mbrojtja, gjithashtu, ka ofruar argumente për çështjen e imunitetit të prokurorit.

Gjykata ka dëgjuar kundërshtimet e prokurorit, i cili në tërësi i kundërshtoi argumentet e mbrojtjes dhe duke kërkuar nga kolegji që të mos e pranojë kërkesën e mbrojtjes që ai të jetë dëshmitar në këtë çështje. Në seancën e radhës, kolegji pasi e ka pleqëruar çështjen, ka marrë vendim duke e refuzuar kërkesën e mbrojtjes që prokurori të paraqitet si dëshmitar.

Në seancën e fundit, kolegji dëgjoi argumentet e palëve për besueshmërinë e provave dhe pranueshmërinë e tyre. Mbrojtja ka argumentuar se provat që lidhen me “Dëshmitarin X” janë prova të pabesueshme dhe prova të papranueshme. Prokurori argumentoi të kundërtën. Kolegji pritet të vendos se a do të pranohen si të pranueshme dhe të besueshme deklaratat dhe provat që kanë ardhur nga dëshmia e “Dëshmitarit X”.

4. Deputeti Muja dëshmon në Rastin Medicus

Pas vendimit nga kryetari i Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it, që kolegji mund të vazhdojë me shqyrtimin e çështjes në Rastin Medicus, kryetari i kolegjit e ka caktuar seancën e parë për datën 6 shkurt.

Të pandehurit në këtë çështje janë Lutfi Dervishi, me profesion mjek dhe profesor i urologjisë; Arban Dervishi, ekonomist i diplomuar; Driton Jilta, mjek nga komuniteti turk në Kosovë, i cili po ashtu ka qenë punëtor shëndetësor i OSBE-së në Kosovë; Ilir Recaj, mjek dhe sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën kur ministër ishte Alush Gashi; Sokol Hajdini, mjek anesteziolog; Islam Bytyqi, mjek dhe Sylejman Dula, po ashtu mjek. Të gjithë këta akuzohen për krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim të kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, ose të autorizimit, të gjitha në bashkëkryerje.

Josef Kororoshvilli, i biri i pacientit Rafaell Kororoshvillit, të trajtuar në Klinikën Medicus ka dëshmuar përmes video-linkut në seancën e 6 shkurtit. Pacienti e kishte transplantuar veshkën gjatë muajit tetor dhe nëntor të vitit 2008. Dëshmitari ka shpjeguar para kolegjit se si prindi i tij fillimisht kishte qenë i sëmurë me diabet, pastaj i janë shfaqur probleme në zemër, pastaj në zorrën e trashë dhe veshkë, ndërsa në fund të vitit 2011 kishte vdekur nga leukemia. Kjo dëshmi ka rikthyer në përdorim pajisjet e video-incizimit pas një kohë të gjatë, pasi që dëshmitari dëshmonte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka përshkruar vizitat e bëra në klinikën Medicus dhe gjendjen e prindit të tij. Ai nuk kishte takuar asnjë mjek sa herë kishte vizituar klinikën. Dëshmitari dëshmoi se nuk e di se si janë kryer transaksionet e të hollave dhe se kush ishte dhuruesi i veshkave.

Dëshmitari tjetër në seancën tjetër të këtij rasti ka qenë deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, i cili gjatë vitit 2008 kishte qenë këshilltar i kryeministrit për shëndetësi. Dëshmitari Muja është përmendur disa herë nga dëshmitari tjetër, ish-ministri Alush Gashi, sipas të cilit Muja ishte interesuar për çështjen e lejes së Medicusit. Këto pohime të Gashit i pranoi edhe Muja duke shtuar se interesimi i tij për këtë çështje ka qenë vetëm si obligim moral.

Muja është pyetur nga prokurori edhe për takimin me Yosuf Somnezin, të dyshuarin kryesor për transplantimet në klinikën Medicus. Në mesin e shumë mysafirëve të tjerë ai ishte takuar me Somnezin në dasmën e të pandehurit Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit. Dëshmitari Muja, letrën e dërguar nga Ministria e Shëndetësisë, me të cilën Klinika Medicus lajmërohej se po shqyrtohej kërkesa e saj për licencë, e quajti një letër informuese.

Seancat e radhës në rastin Medicus do të vazhdojnë gjatë muajit mars, me ç’rast gjykata do të vazhdojë dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të prokurorisë.

5. Fillon me ndërprerje Bllaca 2

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit në rastin Bllaca 1, kolegji i gjykatësve të EULEX-it dhe atyre vendas po gjykojnë grupin tjetër të të pandehurve, të akuzuar nga Nazim Bllaca, për kryerje të krimeve pas luftës.

Këtë herë të akuzuar janë Fahredin Gashi, i dënuar me 18 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në rastin Bllaca 1, Driton Syla, Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari, Shpresim Uka dhe Sadik Abazi. Të gjithë akuzohen për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe vrasjen në tentativë të Ismet Arifit dhe të Adem Salihajt.

Seanca është hapur me kontestimin e përbërjes së kolegjit të gjykatësve nga mbrojtja, e cila kërkonte largimin e kryetarit Tore Tommason, gjykatës i EULEX-it. Largimi i tij kërkohet me arsyetimin se ai kishte marrë pjesë në kolegj në gjykimin kundër Fahredin Gashit dhe rrjedhimisht mbrojtja konsideron se gjykatësi nuk do të jetë i paanshëm, pasi që edhe në këtë proces, Nazim Bllaca ishte dëshmitari kryesor. Presidenti i Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it vendosi që të dy proceset janë të ndara dhe nuk ka kurrfarë ndikimi në paanshmërinë e kryetarit të kolegjit. Seanca në fund të shkurtit vazhdoi me leximin e aktakuzës të pandehurve, të cilët u deklaruan të pafajshëm në çdo pikë të aktakuzës.

6. Prija e duhanit në gjykata vazhdon të jetë shqetësuese

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, gjatë monitorimit të gjykatave të Kosovës, përmes monitoruesve të tij vazhdon të ngrehë shqetësimin e tij në lidhje me konsumimin e duhanit, brenda ambienteve të objekteve të gjyqësore.

Duhani konsumohet nga gjykatësit, personeli administrativ i gjykatës, prokurorët, avokatët dhe palët e tjera, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me Ligjin për Duhanin.

Ligji ka paraparë edhe dënimet për ata që e shkelin ligjin, dënimi për pirjen e duhanit në vendin e punës është 5% të pagës mujore.

Monitoruesit e BIRN-it kanë evidentuar një numër të madh të rasteve, kur të punësuarit e sistemit gjyqësor shkelin ligjin, sidomos gjatë pushimeve të drekës.

Madje janë evidentuar edhe raste kur personeli i gjykatës ka konsumuar duhan nëpër zyrat e shkrimoreve, njëjtë sikur kanë vepruar palët e ndryshme nëpër korridoret e gjykatave, përkundër disa vërejtjeve që kanë mundur t’i marrin nga sigurimi i gjykatës.

Alarmi i tymit dhe i zjarrit i instaluar nëpër gjykata shpeshherë aktivizohet për këtë arsye, por kjo nuk ka ndikuar në vetëdijesimin e stafit gjyqësor për respektimin e ligjit. Duke iu dukur shqetësuese rënia e alarmit, në Gjykatat Model, dhe pothuajse në çdo gjykatë tjetër që është e pajisur me sistemin e alarmit kudër tymit dhe zjarrit, personeli i ka mbuluar me kapakë të plastikës dhe me letra pajisjet, që të pengohen sensorët në detektimin e tymit dhe zjarrit.

Në disa gjykata, kryetarët e gjykatës kanë menduar edhe për duhanxhinjtë, me ç’rast atyre iu është lënë një hapësirë për pirjen e duhanit.

7. Shkeljet procedurale dhe parregullsi të tjera nëpër gjykata

Gjykata e Qarkut në Prishtinë – seancat vazhdojnë të fillojnë me vonesë

Në këtë gjykatë, gjatë muajit shkurt, të gjitha seancat e monitoruara te gjykatësit vendorë kanë filluar me vonesa, deri në 50 minuta. Këto vonesa u shkaktuan nga njësia e transportit të burgosurve, gjykatësit, gjykatësit porotë, palët dhe dëshmitarët.

Në çështjen penale ku janë duke u gjykuar katër persona për kryerjen e 21 veprave penale të vjedhjes grabitqare dhe grabitjes të kryera në bashkëkryerje, seanca ka filluar me 50 minuta vonesë.

Shkak i vonesës ishte prokurori, i cili kishte të caktuar një seancë për të mitur, te një gjykatëse tjetër. Seanca filloi nga e para, pasi që njëri nga anëtarët e trupit gjykues nuk mund të vinte më në shqyrtim, meqë ishte sëmurë.

Kryetarja e trupit gjykues e ka hapur seancën, ka konstatuar praninë e palëve dhe ua ka lexuar të drejtat e palëve. Meqë njëri nga anëtarët e trupit gjykues ishte i ri kryetarja e trupit gjykues ishte e obliguar që të lexonte aktakuzën në tërësi, gjë të cilën nuk e bëri.

Në fund, trupi gjykues u detyrua të shtynte shqyrtimin për një datë tjetër, në mungesë të ngrohjes në sallë të gjykimit.

Në çështjen penale P. nr:513/11, ku akuzoheshin 16 persona të cilët gjendeshin në paraburgim, trupi gjykues u detyrua të fillonte seancën me 30 minuta vonesë, shkaku i transportit të burgosurve.

Fillimi i seancës gjyqësore u karakterizua me numër të madh të njerëzve në sallë, përfshirë të pandehurit dhe gardianët. Para se të bëhej hapja e seancës dhe të konstatonte praninë e palëve, kryetari deklaroi se seanca do të shtyhet, meqë njëri nga avokatët mungonte dhe me kohë e kishte njoftuar gjykatën për këtë mungesë. Avokatët tjerë mbrojtës kërkuan nga gjykata që shqyrtimi të mos shtyhej, por të bëhej një pushim dhe pastaj të caktohej një avokat tjetër. Kryetari i trupit gjykues nuk u pajtua që të caktonte avokat sipas detyrës zyrtare, pasi që avokati i ri nuk mund të përfaqësonte në mënyrë të rregullt të pandehurin.

As prokurori i rastit nuk pati rastin të përjetojë “tollovinë”, për shkak të mungesës së tij në seancën gjyqësore. Kryetari i trupit gjykues ka arsyetuar mungesën e tij, pasi ishte lajmëruar se avokati do të mungonte. Shqetësuese mbetet fakti që gjykata nuk e ka parë të arsyeshme të lajmërojë të gjitha palët, duke i detyruar ata të vijnë në seancën, e cila dihej se nuk do të mbahej, duke shkaktuar kështu shpenzime transporti për 16 të pandehurit.

Në një rast tjetër gjyqësor, me numër P.nr:551/10, në të cilin të pandehurit akuzoheshin për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës nga neni 340 i KPK-së, seanca filloi me 50 minuta vonesë, pasi që kryetarja e trupit gjykues po gjykonte në një rast tjetër. Përveç se seanca është vonuar për shkak të moskoordinimit të mirë nga ana e gjykatëses, aty nuk kishin ardhur as dëshmitarët, megjithëse ishin ftuar në mënyrë të rregullt.

Gjykata Komunale në Therandë – palët nuk njoftohen me të drejtat e tyre

Gjatë muajit shkurt, BIRN-i ka monitoruar çështjet penale P.nr:635/11 dhe P.nr:219/11, të cilat kanë të bëjnë me veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, në të cilat të pandehurit në të dy rastet nuk u njoftuan me të drejtat që i kanë gjatë shqyrtimit gjyqësor. Sipas nenit 356 të KPPK-së, gjykatësi është i obliguar të njoftojë palët me të drejtat që i kanë gjatë gjykimit. Edhe pse faktikisht këto të drejta nuk u lexuan, gjykatësi u kujdes që të paktën juridikisht ato të evidentohen në procesverbal kinse të drejtat janë lexuar.

Gjykata Komunale në Ferizaj – Gabon Prokuroria Komunale

Gjykimi i çështjes penale P. nr: 293/10, i cili ka filluar me 45 minuta vonesë, për veprën penale falsifikim i parasë, e monitoruar nga BIRN-i ka rezultuar me një gabim të lëshuar nga Prokuroria Komunale në Ferizaj.

Kjo prokurori ka akuzuar për falsifikim parash të pandehurin H. S. Por, dëshmitarët treguan se në fakt i pandehuri nuk kishte qenë personi që kishte dorëzuar të hollat e falsifikuara. Gjatë seancës, i pandehuri është deklaruar i pafajshëm për akuzën duke informuar gjykatësit se veprën në fjalë e ka kryer vëllai i tij, ndërsa ky është akuzuar gabimisht nga prokuroria.

Në fund të seancës, vetë prokuroi hoqi dorë nga propozim akuza, duke e liruar nga përgjegjësia penale të pandehurin në fjalë. Ky rast ilustron angazhimin e prokurorëve në hetimin e çështjeve penale të një rëndësi më të vogël.

Gjykata Komunale në Prishtinë, Lipjan dhe Podujevë – seanca të filluara me vonesë shkaku i prokurorëve

Në Gjykatën Komunale në Prishtinë nuk janë të rralla rastet kur mungon ose vonohet prokurori. Gjatë këtij muaji, BIRN-i ka monitoruar një seancë, e cila ka vënë në pah moskoordinimin e Prokurorisë Komunale në Prishtinë, e cila në rastin më të mirë rezulton me 50 minuta vonesë. Prokurori që ishte i ngarkuar me lëndë, në pamundësi të merrte pjesë, bëri që seanca të fillonte pasi arritjes së prokurorit tjetër për përfaqësim.

Në Gjykatën Komunale në Lipjan, BIRN-i ka monitoruar dy seanca gjyqësore ku prokurorja është vonuar në seanca. Fillimisht në çështjen e konfirmimit të aktakuzës me numër K.A.nr:3/12, prokurorja është vonuar për më shumë se një orë, duke i bërë palët dhe të gjithë të presin. Po ashtu në një çështje penale me numër P.nr:257/11, në të cilën i pandehuri akuzohej për vjedhje, është shkaktuar vonesë në fillimin e seancës, për shkak të vonesës së të njëjtës prokurore.

Edhe në Gjykatën Komunale në Podujevë, BIRN-i ka monitoruar një seancë me numër P.nr:331/08, e cila ishte caktuar të fillonte në orën 10:00. Seanca nuk ka filluar në kohë, pasi që gjykatësi nuk ndodhej në zyrë dhe prokurori nuk kishte arritur në gjykatë, ndërkohë që palët prisnin tek dera e zyrës së gjykatësit. Pas 50 minutash pritjeje për palët, me intervenimin e sekretares juridike, gjykatësi erdhi në gjykatë dhe lajmëroi palët se gjykimi do të shtyhet për mungesë të prokurorit, i cili nuk do të vinte fare atë ditë në Podujevë.

BIRN-i, për disa muaj me radhë, përmes Buletinit Drejtësia në Kosovë, raporton se prokurorët e Prokurorisë Komunale në Prishtinë vazhdimisht vonohen në seanca dhe ka raste kur nuk janë fare prezentë, por deri më tani BIRN-i nuk ka parë që është ndërmarrë ndonjë masë nga kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë për evitimin e këtyre vonesave.

Gjykata Komunale në Drenas

BIRN-i gjatë muajit shkurt ka monitoruar këto seancat gjyqësore nga lëmia trashëgimore: T.nr:4/12; T.nr:28.12; T.nr:18/12; T.nr:27/12; T.nr:18/12; T.nr:22/12; T.nr:20/12; T.nr:19/12; T.nr:73/11; T.nr:74/11. Të gjitha këto lëndë ishin paraqitur me emergjencë nga banorët e fshatit Arllat të Drenasit.

Secila seancë e mbajtur është përcjellë me shkelje procedurale, pasi që asnjëra nga palët nuk është njoftuar më nenin 135 të Ligjit për Trashëgimin në Kosovë . Ky nen thotë se trashëgimtarët duhet të njoftohen lidhur me parevokueshmërinë e deklaratës trashëgimore.

Gjykata Komunale Pejë

Gjatë shkurtit, në këtë gjykatë u mbajt shqyrtimi gjyqësor për ndryshimin në çështjen e dhunës në familje, me numër C. nr. 256/11. Gjatë këtij gjykimi, kundër kryetares së trupit gjykues dhe gjyqtarëve porotë u drejtuan fyeje dhe ofendime nga pala e mbrojtur. Situata në seancë ishte shumë e tensionuar dhe kryetarja e trupit gjykues, që fyhej gjatë gjithë kohës, nuk kishte mundësi ta kontrollonte situatën. Kësaj situate të tensionuar dhe me plotë fyerje edhe ofendime i kontribuonte edhe avokati Blerim Hoxha, i cili jo vetëm që nuk e qetësonte klientin e tij, por ai me deklaratat e tij e nxiste atë që të ishte më i ashpër dhe fyes.

Në fund, trupi gjykues e shtyu seancën për një datë tjetër, por BIRN-i mbetet i shqetësuar se pse kryetarja e trupit gjykues nuk i ka shqiptuar ndonjë dënim me gjobë, fillimisht për avokatin, e pastaj edhe palës e cila ka fyer dhe ofenduar gjykatën. BIRN-i inkurajon gjykatësit që në rastet të tilla të përdoret fuqia që iu jep ligji.

Gjykata Komunale në Kamenicë

BIRN-i ka monitoruar seancën në çështjen penale me numër P.nr: 325/06, në të cilën të pandehurit akuzoheshin për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.

Çështja kishte arritur në procedurën e provave dhe prokuroria kishte propozuar dëshmitarë. E dëshmitarët në këtë seancë ndryshuan komplet deklaratat që i kishin dhënë më parë, para prokurorit. Në të dy rastet, prokurori, pasi që i ballafaqoi dëshmitarët me deklaratat e tyre të dhëna në prokurori, mori konfirmimin e të pandehurve se deklaratat e prokurorisë janë më të sakta. Por është për t’u çuditur fakti se prokurori, edhe pse e merr konfirmimin nga vetë dëshmitarët se po deklaron rrejshëm para gjykatës, nuk ngre akuzë për deklarim të rrejshëm.