Avokati Tomë Gashi dënohet me gjashtë (6) muaj burg për vepër penale

Tomë Gashi, avokat nga Prishtina është gjetur fajtor për pengim të personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Gashi është dënuar me gjashtë (6) muaj burg për një incident të ndodhur para më shumë se katër viteve në një restorant në Prishtinë. Ai ishte
përfshirë në një incident me disa policë, derisa këta të fundit ishin duke kryer punën e tyre. Gashi është dënuar me kusht, dënim ky i cili nuk do të zbatohet nëse gjatë një viti i dënuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Oda e Avokatëve të Kosovës, i cili është institucioni më i lartë për avokatët në Kosovë, duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme disiplinore dhe hetuese, që mund të rezultojnë me tërheqjen e licencës së avokatit Gashi. Sipas ligjit për Avokatinë, i cili rregullon aktivitetin dhe organizimin e avokatisë, Bordi i Odës së Avokatëve vendos për ta fshirë një Avokat nga regjistri i avokatëve nëse ai ose ajo është dënuar me vendim të plotfuqishëm me më shumë se gjashtë (6) muaj burg, pas lajmërimit zyrtare të Gjykatës për shqiptimin e dënimit. Në ditën e shpalljes së vendimit, avokati Gashi kishte deklaruar për media se nuk ishte në gjykatë për gjykimin ndaj tij, por për punë të tjera në lidhje me klientët e tij. Gashi, i cili është një prej avokatëve më të njohur në Kosovë, është poashtu edhe këshilltar ligjor i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.