23 gjykatës dhe prokurorë të rinj janë emëruar pa përfunduar edukimin e nevojshëm

Procesi i emërimit dhe riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve është parë të jetë shumë i suksesshëm për të reformuar dhe fuqizuar sistemin e dobët të drejtësisë në Kosovë. Sidoqoftë, përveç 100 pozitave që vazhdojnë të jenë të zbrazura si rezultat i këtij procesi, një tjetër problem është se 23 gjykatës dhe prokurorë të rinj janë emëruar pa përfunduar edukimin juridik me Institutin Gjyqësor të Kosovës. Sipas ligjit që themelon IGJK-në, çdo gjykatës dhe prokuror i ri duhet të ndjekë një program për edukim juridik të udhëhequr nga ky institut, para se ai ose ajo të mund të emërohet gjykatës ose prokuror. Këta 23 gjykatës dhe prokurorë të rinj si rezultat nuk mund të punojnë në raste gjyqësore dhe çështje të tjera juridike në zyrat e tyre, para se të përfundojnë programin e udhëhequr nga IGJK. Enver Peci, Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, deklaroi në emisionin televiziv të BIRN-it “Drejtësia në Kosovë” se kandidatët ishin më të mirët dhe se ata tashmë kishin përfunduar të gjitha obligimet formale në raport me institutin. Ai shtoi se gjykatësit dhe prokurorët e rinj së shpejti do të fillojnë të punojnë në raste pasi të betohen më muajin dhjetor.