Betimi i gjyqtarëve të rinj - Foto: ZPRK

Emërohen 53 Gjyqtarë të Rinj

“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës si gjyqtar i Republikës së Kosovës do t’i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do të ushtroj funksionin e gjyqtarit me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”.

Këto ishin vargjet e betimit të 53 gjyqtarëve të rinj të cilët u zotuan për të mbrojtur ligjet e Republikës së Kosovës.

Zyra për informim e Presidentit Thaçi me anë të një njoftimi ka thënë se ky I fundit sot ka dekretuar emërimin e 53 gjyqtarëve të rinj të cilët do të jenë gardianë të së drejtës për qytetarët e Kosovës.

“Të dashur gjyqtarë, në supet tuaja është një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi që unë kam besim të plotë se do të dini ta mbani dhe qytetarët e vendit tonë të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit”, citohet të ketë thënë presidenti sipas komunikatës.

Sipas njoftimit thuhet se Presidenti Thaçi ka thënë se në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë ka filluar një jetë e re, jetë me plot dinamizëm dhe zhvillim në të gjitha fushat, prandaj na duhet një punë e palodhshme, në veçanti në fushën e drejtësisë.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë punuar në plotësimin e legjislacionit që do të bëjë më të lehtë punën e gjyqtarëve.

“Të gjithë duhet të jemi të angazhuar për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës, më qëllim të ecjes përpara dhe që të jemi krah-për-krah me vendet e zhvilluara e demokratike”, ka thënë presidenti.