Elmi Reçica tregon pse shkoi në takim me LDK-në por jo edhe te LVV-ja

Në Kosovë po qëndron një delegacion i Lutjeve të Mëngjesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kryesuar nga kongresmenin Randy Hultgren.

Në takime të ndara, delegacioni vizitoi dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Nikoqir të delegacionit ishin dy krerët e dy partive, Isa Mustafa te LDK e Albin Kurti te Vetëvendosje.

Në fotot që postoi LDK për vizitën e delegacionit amerikan, pjesë e tyre u panë edhe Ahmet Shala dhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.

Por, në vizitën te Lëvizja Vetëvendosje, deputeti i PDK-së nuk u pa të kishte qenë atje.

Në një bisedë për KALLXO.com, deputeti Reçica tha se kishte pasur angazhime tjera, për atë edhe nuk kishte marrë pjesë në takimin me partinë e Albin Kurtit.

“Ende janë duke vazhduar takimet. Unë e kam pas një obligim tjetër me ju thënë të drejtën, për atë arsye nuk kam mundur me mbërri. I kam kërkuar falje Sarandës që s’po mundem me shku, vetëm kam pas obligim tjetër”, tha Reçica

Takimet e delegacionit të Lutjeve të Mëngjesit do të vazhdojnë edhe sot, ndër vendet që do të vizitojnë ata do të jetë edhe Prekazi.

“Takimet e delegacionit po vazhdojnë, ishim te Presidenti, Kryetari i Kuvendit  , do të vazhdojmë në odën ekonomike, në odën ekonomike amerikane, te ish- presidentja, do të shkojmë në Prekaz dhe në Prizren”, deklaroi deputeti i PDK-së.