Foto-ilustrim

Ekzekutohet Gjyqtarja në Tiranë, Policia Arreston ish-Bashkëshortin

Fildes Hafizi, gjyqtare në Shkodër u qëllua për vdekje teksa po udhëtonte me makinën e saj. Policia deklaroi se autori i dyshuar i vrasjes është ish-bashkëshorti Fadil Kasemi.

Hafizi, gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës dhe nënë e dy fëmijëve u ekzekutua të enjten në Tiranë teksa po udhëtonte me makinën e saj, ndërsa policia njoftoi se kishte arrestuar ish-bashkëshortin si autor të dyshuar të krimit.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga policia e Tiranës, Fadil Kasemi, 53 vjeç u arrestua në kushtet e flagrancës, pasi kishte qëlluar për vdekje ish-bashkëshorten 39-vjeçare.

“Është sekuestruar arma e krimit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes,” thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Të dhënat e siguruara tregojnë se sulmi me armë që i shkaktoi vdekjen gjyqtares nuk është konflikti i vetëm i saj me ish-bashkëshortin. Në korrik 2015, Fadil Kasemi u arrestua nga policia pasi kishte kërcënuar ish-bashkëshorten në plazhin e Golemit dhe pas ndalimit, policia i sekuestroi atij një pistoletë.

Pas vrasjes së 39-vjeçares, policia njoftoi se do t’ia referonte materialet për hetime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë.

Marrë nga Reporter.al.