Gjykimi ndaj Esat Bajrami - Gjakove - 14 nentor 2018

Eksperti rrëfen gjendjen shpirtërore të të akuzuarit Esat Bajrami për vrasjen Arlind Hanës

Në gjykimin ndaj Esat Bajramit, i akuzuar për vrasje, kanë dhënë versionin ekspertët Tefik Hoti, ekspert i balistikës dhe Fahri Dervinja ekspert i psikiatrisë.

Esat Bajrami po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës, se më 1 nëntor 2017, në qebaptoren “Toni Burger” në Gjakovë, ka privuar nga jeta Arlind Hanën.

Eksperti i balistikës Tefik Hoti, gjatë dëshmisë së tij tha se pistoleta e përdorur për vrasjen e tani të ndjerit Arlind Hana, ka qenë gjysmë automatike.

“Procesi i gjuajtjes gjysmë automatike bëhet me mbushjen manuale të pistoletës dhe pastaj me gjuajtjen e saj me tërheqje të këmbëzës, e cila është e prodhuar në ish Jugosllavi”, deklaroi eksperti i balistikës.

Në këtë rast bëhet e ditur se motivi i vrasjes ishte motra e mitur e të akuzuarit Esat Bajrami.

Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes, ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

 

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-vrasje-me-vjen-keq-per-rastin-e-kam-kryer-pa-dashje/

 

Eksperti i psikiatrisë, Fahri Dervinja tha se i akuzuari Esat Bajrami, në moshën e tij 5 vjeçare kishte pasur lëndime të rënda në kokë dhe si pasojë e kësaj ka pengesa në të folur.

“Në ekzaminimet tona kemi gjetur se gjatë rrjedhës së konfliktit dy vjeçar të motrës së tij, i akuzuari ka akumuluar një lloj agresiviteti dhe i njëjti në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë në gjendje të rëndë emocionale, i cili nuk ka mundur t`i kontrollojë veprimet ose mosveprimet e tij”, tha eksperti i psikiatrisë, raporton KALLXO.com

Në ekspertizën psikiatrike të paraqitur para gjykatës, avokatja e palës së dëmtuar Zahide Gjonaj pati vërejtje, duke thënë që është ekspertizë jo profesionale dhe e njëanshme.

Ndërsa prokurori Ali Uka, i propozoi gjykatës që në seancën e radhës të ftohet për të dëshmuar edhe eksperti mjekoligjor Flamur Dylhasi dhe hetuesi Edmond Jakupaj.

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, duke e aprovuar propozimin e prokurorit seancën e radhës e caktoi për muajin dhjetor.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në tetor të këtij viti, kishte dëshmuar edhe motra e të akuzuarit, e cila kishte rrëfyer se ishte ngacmuar vazhdimisht nga tani i ndjeri Arlind Hana.

 

https://kallxo.com/motra-e-te-akuzuarit-per-vrasje-thote-se-eshte-ngacmuar-vazhdimisht-nga-i-ndjeri/

 

Gjykimin e sotëm e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshje që kishte i ndjeri me të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

“Pasi që i pandehuri kishte mbetur vetëm me të ndjerin, kishte nxjerrë revolen e tipit “CZ” dhe kishte qëlluar tre herë tani të ndjerin Arlind Hana, të cilit i kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria dyshon se i akuzuari Esat Bajrami, me veprimet e tij ka kryer veprën penale të vrasjes dhe veprën penale të mbajtjes në kontroll, pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

https://kallxo.com/prokuroria-mosmarrveshja-per-motren-e-mitur-i-parapriu-vrasjes-se-30-vjecarit-ne-gjakove/

.