Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Eksperti i emergjencave: Zjarret e qëllimshme po rrezikojnë qytetarët

Eksperti i emergjencave, Tahir Ahmeti përmes një postimit në “Facebook” ka shprehur shqetësimin e tij për zjarret e shumta fushore dhe pyjore që po ndodhin ditëve të fundit në vise të ndryshme të Kosovës.

Sipas Ahmetit, këto zjarre të cilat ai i ka quajtur të qëllimshme, po rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Këto zjarre që në masë të madhe janë zjarrëvënie të qëllimshme, apo të shkaktuara nga pakujdesia, e që përveç dëmeve të mëdha që po shkaktojnë në fusha bujqësore dhe në pyje, po rrezikojnë edhe vetë jetën e qytetarëve të vendit”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, organet e rendit në Kosovë, duhet të jenë shumë më aktive në terren, dhe të marrin masat e nevojshme, në mënyrë që të ndalohet kjo dukuri e zjarrëvënieve të qëllimshme nga persona të papërgjegjshëm, dhe të njëjtit të marrin ndëshkimet e duhura ligjore.

“Duhet pas parasysh që sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, inicimi i qëllimshëm i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm, është vepër penale dhe sanksionohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite”, ka përfunduar Ahmeti.