Gjykimi i Xhafer Shkodrës - Foto: KALLXO.com

Eksperti i armëve dëshmon në gjykimin e të akuzuarit për vrasjen e gruas

Eksperti i balistikës, Fejsal Lutfiu, ka dëshmuar sot në gjykimin e Xhafer Shkodrës, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij Rabe Shkodra, më 19 gusht 2018.

Dëshmitari foli rreth armës me të cilën pretendohet se u krye vrasja.

Ai tha se arma kishte qenë e konvertuar.

“Pistoleta ka qenë e konvertuar nga arma e gazit në armë të zjarrit”, tha Lutfiu.

Dëshmitari tregoi se për ekzaminim kishin pranuar një armë zjarri, një karikator, 7 fishekë dhe një gëzhojë.

“Gjatë gjuajtjes testuese ne kemi vërejtur se pistoleta e konvertuar nuk funksionon në mënyrë të duhur, por mbushja e saj bëhet në mënyrë manuale”, tha eksperti i balistikës.

Xhafer Shkodra akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

https://kallxo.com/avokati-kundershton-aktakuzen-ndaj-xhafer-shkodres-per-vrasje-te-gruas-2/

Seancën e sotme e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues, Nikollë Komani, i ndihmuar nga gjyqtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Shkodra, avokati Agim Haraçia, i propozoj Gjykatës që të dilet edhe në vendin e ngjarjes, për të cilin propozim Gjykata do të vendosë me vendim të veçantë.

Në gjykimin e sotëm ishte paraparë të dëshmojë edhe djali i tani të ndjerës, Januz Shkodra, mirëpo prokurori Ramiz Buzhala i propozoi Gjykatës që i njëjti të dëgjohet një ditë tjetër, me arsyetimin se prokuror i këtij rasti është prokurori Ali Uka.

Arsyeja tjetër e ndërprerjes së kësaj seance ishte edhe sjellja me vonesë e të akuzuarit nga njësiti i transportit.

Ndërkaq seanca e radhës u caktua për datën 10 prill.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Xhafer Shkodra ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte thënë se nuk ka pasur për qëllim ta vrasë gruan e tij dhe se e njëjta ishte vrarë “pa hiri”.

Xhafer Shkodra gjendet në paraburgim që nga data 20 gusht 2018.

Sipas aktakuzës, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer Shkodra dhe bashkëshortja e tij Rabe Shkodra ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejtë e vret atë.

Aktakuza thotë se i pandehuri pas këtij momenti menjëherë është larguar ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

https://kallxo.com/ekskluzive-prokuroria-rrezon-tezen-e-policise-se-vrasja-61-vjecares-ne-gjakove-ishte-aksidentale/

Sipas deklaratave të familjarëve, respektivisht fëmijëve të tyre, bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Bashkëshorti i viktimës ishte larguar nga shtëpia dhe më vonë është arrestuar nga policia në lagjen e tij dhe bazuar në deklaratën e tij viktima kishte pasur armën në dorë të cilën ishte duke e pastruar dhe aksidentalisht i ka shkrepur.

https://kallxo.com/vrasja-e-gruas-hetimet-e-prokurorise-zbardhin-vrasje-ne-rastin-qe-policia-e-quajti-aksident/

www.kallxo.com