Dimitar Bechev

Eksperti Bullgar: Fuqia Ruse në Ballkan Është e Ekzagjeruar

Rusia po ushtron një “presion” ndaj Perëndimit në Ballkan, por ajo nuk është aq me ndikim sa mendojnë shumë njerëz, tha eksperti bullgar Dimitar Bechev të enjten në një bisedë të hapur për librin e tij “Fuqi Rivale: Rusia në Europën Juglindore” promovuar në Shkollën e Ekonomisë në Londër.

Bechev, një studiues në Universitetin e Karolinës së Veriut, tha se mediat perëndimore ishin të fiksuara me përkufizimin e Rusisë si një “partner të kthyer në armik” në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme.

Në realitet, sipas tij nëse Rusia ka qenë përherë shumë e pranishme në rajonin e Ballkanit, kjo nuk ka ardhur gjithmonë prej imponimit të vetvetes, por edhe sepse fuqitë dhe elitat vendase janë angazhuar me Rusinë për të çuar para agjendat e tyre të brendshme.

Rusia “ka ndikim në rajon për shkak të faktorëve që e mundësojnë ndërhyrjen e saj”, vazhdoi ai duke theksuar se ajo nuk mbështetet te investimi i një kapitali madhor.

Nuk ka dërguar paqeruajtës në rajon dhe nuk premton më miliarda euro në projekte energjetike, tha ai, por në fakt “u flet atyre që duan të dëgjojnë. Kjo e lejon Moskën të jetë shumë e pranishme në mendjen publike”.

Bechev tha se nuk pati vështirësi të gjente njerëz në shumë vende të Ballkanit që fajësuan Perëndimin për vështirësitë e tyre dhe se Rusia shihej gjerësisht si një kundërpeshë e dobishme.

Për arsye fetare dhe kulturore, Rusia ka mundur të përdorë mirë fuqinë e saj të butë në një rajon ku “struktura narrative tenton të favorizojë Rusinë”.

Autori tha se Rusia ka qenë prej kohësh e pranishme në rajonin e Ballkanit, përveç një periudhe të shkurtër pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Serbi.

Gjatë dekadës së fundit nuk ka ndryshuar shumë prania e Rusisë në rajon, por polemikat që kjo prani ka ngjallur me përkeqësimin e marrëdhënieve Lindje-Perëndim.

Bechev e përshkruan aneksimin e Krimesë në vitin 2014 si një pikë kthese, pas së cilës vendet perëndimore hoqën dorë nga ideja e mbajtjes së një lloj partneriteti me qeverinë e Vladimir Putinit.

Marrë nga reporter.al