Eksperti balistik tregon si u gjuajtën plumbat që lanë të vdekur Nuredin Kastratin

Vrasja e Nuredin Kastratit  afër varrezave në një fshat të Rahovecit u rrëfye nga dy ekspertë përmes analizës së lëvizjes së plumbave dhe dëmeve  që këta plumba i shkaktuan trupit të të ndjerit.

Për vrasjen e Kastratit po akuzohen Tasim dhe Nasip Zhuniqi.

“Janë gjetur 4 gëzhoja, 3 plumba, një pushkë, një karikator i zbrazur me kapacitet prej 30 fishekë, 5 fishekë, një pistoletë, një karikator i zbrazët prej 7 fishekë dhe 6 fishekë”- deklaroi eksperti i balistikës Lufti Raci.

Ai tha se gëzhojat kanë qenë tek veturat dhe tek i ndjeri.

“Distanca e gjuajtjes në drejtim të veturës ka qenë 5 deri në 10 metra. Kam shikuar edhe raportin e autopsisë dhe viktima ka pasur shumë plagë para dhe prapa dhe se duke u bazuar në raport ato plagë janë shkaktuar në distancë të afërt”- tha eksperti.

Ai theksoi se 3 plumbat janë shtënë nga pushka automatike e dëshmisë dhe se të shtënat kanë qenë të drejtuara në drejtim të veturës.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Miftar Qelaj, pyet se a është gjuajtur në 3 pozicione të ndryshme.

Në përgjigjen e tij, eksperti Raci tha se po, nëse i referohemi skicës së vendit të ngjarjes, janë dy në drejtim të veturës dhe një në drejtim të viktimes.

Ai tha se qitësi ka qenë në pozitë më të lartë se viktima.

“Vetëm kur ka shkaktuar plagën në sy trupi i viktimës ka qenë duke shkuar poshtë”, tha eksperti.

“Edhe plagët në gishtat e duarve janë shkaktuar në një distancë të afërt, e sigurisht viktima ka pasur për qëllim të mbrohet”- tha ai.

Prokuroria pretendon se Tasim dhe Nasip Zhuniqi, në mars të vitit 2016 në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Nuredin Kastrati nga Prizreni.

Më pas dëshmoi edhe eksperti i mjekësisë ligjore Flamur Dylhasi, i cili tha se në trupin e viktimës ka pasur plagë ku ka pasur vrima hyrëse dhe dalëse por kemi hasur edhe në plagë me vrima vetëm hyrëse.

“Në bazë të dëmtimeve trupore janë gjithsej 15 predha”- tha eksperti

“Vdekja e të ndjerit ka ardhur si rrjedhojë e dëmtimit të trurit dhe dremimit të zemrës”- sqaroj eksperti i mjekësisë ligjore.

Ai tha se viktima është gjetur i shtrirë me fytyrë në tokë edhe pse shumicën e plagëve i ka pasur në pjesën mbrapa.

“Plaga e parë ka qenë në pjesën e përparme të syrit, e pastaj në pjesën e pasme të kokës, në qafë, në anën e majtë të gjoksit përkatësisht në regjionin e zemrës”- tha eksperti mjeko-ligjor.

Shqyrtimi gjyqësor i sotëm i udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me anëtarët Ilirjana Hoti dhe Besarta Doli, e shtyen seancën në kohë të pacaktuar, me arsyetimin që të bëhet sigurimi i prezencës së një dëshmitari nga ana e Policisë dhe se i njëjti gjykim do të mbahet në një gjykatë tjetër, për shkak të mungesës së pajisjeve teknike.

Përfaqësuesi i aktakuzës prokurori Ali Uka, dy të akuzuarit po i ngarkon me veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës duke u bazuar në disa mosmarrveshje të mëhershme që kishin të akuzuarit dhe i ndjeri, ditën kritike me armë Nasip Zhuniqi qëllon disa herë në drejtim të të ndjerit Nuredin Kastrati, i cili rrëzohet në tokë.

Aktakuza shpjegon se pasi që i ndjeri ishte rrëzuar në tokë nga të shtënat e Nasip Zhuniqit, më pas Tasim Zhuniqi ia merr armën nga dora Nasipit dhe disa herë qëllon në trupin e viktimës duke e lënë të vdekur.

https://kallxo.com/vrasja-e-nuredin-kastratit-deshmon-djali-i-te-akuzuarit-tasim-zhunqi/

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë ngjarje.

Para se ky rast të kthehet në rigjykim, Gjykata Themelore e Gjakovës me kryetarin e trupit gjykues Shaqir Zika dhe anëtarët Besnik Bislimaj dhe Ilirjana Hoti, kishin shpallur fajtorë të akuzuarit Tasim Zhuniqi me 16 vite burgim,  ndërsa Nasip Zhuniqin me 15 vite burgim.

Mirëpo avokatja Kosovare Kelmendi, e cila e përfaqëson të akuzuarin Nasip Zhuniqi, kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit rigjykimin e çështjes ose lirimin nga akuza e të mbrojturit të saj, ndërsa avokatja Myrvete Qollaku kishte kërkuar dënim më të butë për të mbrojturin e saj Tasim Zhuniqi.

Lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, Prokuroria në ankesën e saj drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë, i ka propozuar që çështjen ta kthej në rigjykim dhe që ndaj të akuzuarve të shqiptoj dënime më të larta.

Propozimit për dënime më të larta iu kishte bashkangjitur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miftar Qelaj.

Të akuzuarit për veprën penale të armëmbajtjes kishin pranuar fajësinë, e i akuzuari Tasim Zhuniqi, kishte pranuar fajësinë edhe për veprën penale të vrasjes, mirëpo ky pranim i fajësisë ishte refuzuar nga ana e gjykatës.

Pas kësaj, Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim procesin e dy të akuzuarve Tasim dhe Nasip Zhuniqi, për veprën e vrasjes në bashkëkryerje, me arsyetimin se shkalla e parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli rigjykimin e kishte arsyetuar me faktin se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës, sepse në mes të cilësimit të veprës penale nga Prokuroria dhe aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës, nuk është e qartë a është fjala për një vepër penale të vrasjes në bashkëkryerje apo për disa vepra penale të ndara e jo në bashkëkryerje.

Tutje, ende pa u mbajtur asnjë seancë e çështjes së kthyer në rigjykim, pala e dëmtuar kishtë bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit.

Në këtë rast ku Tasim dhe Nasip Zhuniqi nga fshati Fortesë (Bellacerk) e Rahovecit, po akuzohen se kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nuredin Kastrati, pas pranimit të një kërkese për përjashtim të gjyqtarit, seanca e parë e  kthyer në rigjykim kishte dështuar të mbahej.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar avokti Miftar Qelaj, kishte parashtruar kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika, me arsyetimin se gjyqtari Zika ka qenë në presion të palëve në procedurë, pasi që i njëjti ka denoncuar familjarët e të akuzuarve për kanosje.

Ndërsa lidhur me kërkesën për përjashtim të kryetarit të trupit gjykues, mbrojtëset e të akuzuarve avokatet Myrvete Qollaku dhe Kosovare Kelmendi,  lidhur me kërkesën e palës së dëmtuar-familjes Kastrati, kishin thënë se e njëjta kërkesë përmban vetëm prejudikime dhe ka për qëllim zvarritjen e procedurës.

Ndërkaq para kolegjit të Apelit, të përbërë nga Tomka Berishaj, Xhevdet Abazi dhe Afrim Shala, të akuzuarit Tasim dhe Nasip Zhuniqi ishin deklaruar të fajshëm dhe kanë shprehur keqardhje për atë çka ka ndodhur.

https://kallxo.com/deshmitari-rrefen-si-ia-vrane-vellane-para-syve/