Universiteti i Mitrovicës

Ekspertët ndërkombëtarë: Të mos akreditohet Universiteti i Mitrovicës

Universiteti publik i Mitrovicës “Isa Boletini” nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj në vitin e ri akademik 2019/2020, nëse merren parasysh vlerësimet e raportit të bërë nga dy ekspertë ndërkombëtarë nga ana e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA).

Në këtë raport ekspertët Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu kanë dhënë vërejtje të shumta e rekomandime se çfarë duhet bërë me këtë universitet.

Njëra nga rekomandimet kryesore është që ky universitet të mos akreditohet përsëri nga ana e AKA-së.

“Duke parë mungesën e qeverisjes dhe aftësive institucionale, ekspertët janë shumë të shqetësuar për qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë që duhet ta çojë institucionin përpara. Në përfundim, ekipi i ekspertëve konsideron se Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është vetëm pjesërisht në përputhje me standardet e përfshira në manualin e Akreditimit të AKK-së dhe prandaj rekomandon që të mos akreditojë institucionin”, thuhet në raportin e tyre.

Kurse kritika kryesore ishte mungesa e përkthimit të dokumenteve në gjuhën angleze.

“Procesi i përgjithshëm i akreditimit ka qenë mjaft sfidues: pavarësisht se institucioni është i vetëdijshëm se procesi do të kryhet vetëm në anglisht, dokumentacion shumë i vogël është vënë në dispozicion në gjuhën angleze në mënyrë që ekspertët ndërkombëtarë të vlerësojnë përputhshmërinë institucionale me standardet e jashtme”, thuhet në raport.

Tutje ekspertët kanë thënë se në përgjithësi, institucionit i mungonte kapaciteti vetëkritik, si në dokumentacionin e paraqitur, ashtu edhe në takimet e kryera gjatë vizitës në terren.

“Kjo jo vetëm që e bëri të vështirë për ekspertët të bënte dallimin mes informacionit objektiv, fakteve të pambështetura nga prova dhe aktgjykimeve të pabazuara, por gjithashtu bëri që ekspertët të pyesni nëse institucioni në përgjithësi është i vetëdijshëm për sfidat aktuale dhe të ardhshme dhe ka aftësinë për të identifikuar rreziqet e saj dhe të jeni të sinqertë rreth tyre (të paktën për veten) në mënyrë që t’i adresoni ato në përputhje me rrethanat”, thuhet në këtë raport.

Ata kanë bërë thirrje që universiteti duhet të jetë më i hapur dhe i sinqertë kur i referohet dobësive, mangësive dhe fushave që kanë nevojë për zhvillim pasi që është mënyra e vetme që ekspertët të kenë një pasqyrë realiste mbi institucionin dhe të ofrojnë rekomandime përkatëse.

Ditëve në vijim do të merret vendimi nëse këto rekomandime do të merren parasysh nga ana e AKA-së.