FOTO ILUSTRIM

Ekspertët flasin për shkaqet e aksidenteve në rrugë

Shkaqet e aksidenteve rrugore që janë shpeshtuar së fundmi në Kosovë po i atribuohen disa faktorëve nga ekspertët e fushës

Gjatë ditës së djeshme është raportuar nga Policia e Kosovës për 30 aksidente rrugore, ku prej tyre 2 kanë përfunduar me fatalitet.

Shemsedin Hajdari, ekspert i sigurisë tha se një prej shkaktareve të këtyre tragjedive është edukata në familje.

“Çdo vozitës në komunikacion duhet të ketë së pari kulturën dhe edukatën në familje, nga kjo fillon edhe njohja e shenjave të komunikacionit dhe me semaforët. Po ashtu, tejkalimi i shpejtësisë është një prej shkaqeve kryesore”, tha Hajdari.

Më tej, ai thekson se shkak tjetër mund të jetë edhe infrastruktura, gjithashtu gjendja e automjetit të ngasësve.

“Arsye tjetër është infrastruktura horizontale dhe vertikale e rrugës. Vozitësit duhet së pari të bëjnë kontrollimin e veturës së tyre para se automjeti të hyjë në funksionim. Gjithashtu, të sigurohemi që rruga është e përshtatshme, sidomos në vendet rurale”, tha Hajdari

Gjithashtu, ai apelon të gjithë ngasësit në trafik të vendosin rripin e sigurimit, që sipas tij evidenton numrin e aksidenteve fatale.

Ndërsa sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, duhet krijuar institucione për analizimin e aksidenteve dhe përcaktimin e masave për parandalimin e aksidenteve.

“Në muajt korrik dhe gusht, rritet numri i automjeteve prandaj rritet edhe numri i aksidentëve por për te marrë masa preventive është shumë e nevojshme të bëhen analiza të elementeve të faktorëve të cilët shkaktojnë ato” tha Dedaj.

Gjithashtu, ai shtoi se shkaqet kryesisht janë kushtet atmosferike, rruga, gjendja teknike e automjeteve dhe shpejtësia e tejkaluar.

Vetëm gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, Policia e Kosovës ka raportuar 40 aksidente fatale, ku 51 persona kanë gjetur vdekjen në aksidente rrugore.

https://kallxo.com/mungesa-e-shenjave-shtyse-e-aksidenteve-ne-rrethrrotullime/