Ekspertë e deputetë vlerësojnë mundësinë e shërbimit obligativ ushtarak në Kosovë

Idea për një shërbim ushtarak obligativ ka para vete pengesën e buxhetit, ndër të tjera.

Profesionalizmi dhe konsolidimi i ushtrisë së re po shihet si diçka prioritare karshi krijimit të obligimit qytetar për të ofruar shërbim ushtarak.

“Këshilli i ekspertëve”  i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kishte vlerësuar që shërbimi ushtarak në Kosovë duhet të jetë i obligueshëm, sipas modelit të shteteve si Zvicra dhe vendeve të tjera të vogla.

Këtë vlerësim e kishte bërë publik, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti,  ditë më parë në profilin e tij në Facebook.

“Kjo masë garanton mbrojtje efektive nacionale, i rrit aftësitë fizike e profesionale të rinisë dhe i mundëson Ushtrisë së Kosovës të renditet krahas ushtrive të partnerëve tanë në NATO. Për një periudhë disavjeçare, të rinjtë do të shërbejnë për disa muaj në shërbimin ushtarak, me shkëputje, bazuar në nevojat e të rinjve për arsim, punësim dhe familje”, ka shkruar ndër të tjerash Hoti.

 

https://kallxo.com/ldk-sherbimi-ushtarak-te-behet-i-obligueshem/

 

Por, një iniciativë e  tillë po shihet në këndvështrime të ndryshme nga udhëheqësia e Ministrisë së Mbrojtjes, deputetë të partive në pushtet, atyre opozitare si dhe  njohës të çështjeve të sigurisë në vend.

Zëvendsëministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani e konsideroi idenë e LDK-së diçka populliste, pa analizë prapa.

“Këto jon vendime politike të cilat duhet të bëhen vetëm pas analizave të sakta dhe kapaciteteve dhe mundësive buxhetore, nuk besoj që LDK ka bo analizë por vetëm ju ka dok si diçka populliste, temat e ushtrisë nuk janë tema zgjedhore. Të themi kështu, Franca nuk ka model të obligushëm por profesional edhe shumë vende të tjera janë kështu dhe Kosova ka synim që ushtria mos të bëhet barrë buxhetore, por të funksionojë në modelin profesional, mobil dhe efikas. Kjo është, sepse ushtria patjetër është e shtetit dhe programeve buxhetore. Por veç të mos bëhet barrë”, tha Ramadani

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala (Nisma Socialdemokrate), ka deklaruar për KALLXO.com, se shërbimi ushtarak nga të rinjtë e vendit, aktualisht nuk do të ishte i nevojshëm.

Mendimi im personal [jo i Nismës] është që Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jetë një forcë profesionale, sikurse që e kanë të gjitha vendet e NATO-s, një ushtri profesionale. Kjo nuk nënkupton që shërbimi ushtarak të jetë i obligueshëm për të rinjtë e Kosovës, por të jetë një ushtri profesionale, është një ushtri që paguhet, është në shërbim dhe e gatshme kurdo që ka nevojë vendi dhe partneri ynë NATO në këtë rast, për ndonjë mision jashtë vendit”, ka thënë Shala.

Sipas tij, ky shërbim mund t’i kushtojë më shtrenjtë Kosovës.

“Kjo mund t’i kushtojë më shtrenjtë Kosovës sesa një ushtri profesionale. Nuk është e nevojshme pasi është ngarkesë për buxhetin e  Republikës së Kosovës, nëse bëhet një ushtri obligative për të rinjtë e Kosovës”, vlerësoi Shala.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Adem Mikullovci, ka thënë për KALLXO.com, se e përkrahë fuqishëm mundësinë që Kosova të ketë shërbim ushtarak obligativ.

“Kategorikisht jam për që me qenë ushtria obligative për të rinjtë  e Kosovës. Nuk ka edukatë më të mirë se kjo, pasi baza e shëndetit dhe e dukatës merren gjatë asaj kohës sa është ushtar një djalë i ri. Veç duhet t’i përmbahet rregullave, kur të përfundon shkolla e mesme, i mbush 18 vjet atëherë shkon ushtar”, theksoi deputeti më i moshuar në Kuvendin e Kosovës.

Mikullovci ka shfaqur domosdoshmërinë që të rinjtë ta kryejnë ushtrinë posa ta mbarojnë shkollën.

“Këtë iniciativë e përkrahi me mish e me shpirt dhe kërkoj një këmbëngulje insistoj që të ketë me patjetër shërbim ushtarak obligativ”, përfundoi Mikullovci për KALLXO.com.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë për KALLXO.se, Kosova duhet ta ketë shërbimin ushtarak obligativ, por  sipas tij, një gjë e tillë aktualisht është e pamundur të ndodhë.

“Sidomos Kosova duhet ta ketë këtë shërbim obligativ, por duhet parë rrethanat sesa sa janë kushtet dhe mundësitë kur dihet që nuk e kemi Ushtrinë e Kosovës me kapacitete të plota operacionale dhe kur dihet që shërbimi ushtarak obligativ është një kosto bukur e madhe dhe kësisoj besoj që edhe në 10 vjetshin e ardhshëm nuk mund të bëhet edhe pse do të duhej të bëhej”, ka shtuar ai.

Sipas Islamit, ky shërbim nga FSK-ja do të duhet të rregullohet me ligj dhe Kushtetutë të Kosovës, pasi aktualisht ka mangësi ligjore për këtë çështje.

“Kjo duhet të rregullohet në momentin kur Ushtria e Kosovës të ketë karakter të plotë ushtarak si ushtri moderne dhe pastaj të rregullohet me ligj dhe kushtetutë që të rinjtë  ta kryejnë obligimin ushtarak në një kohë dhe moshë të caktuar”, theksoi njohësi i çështjeve të sigurisë në vend.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka marrë mandat ushtarak me 14 dhjetor të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës.

Ushtria e Kosovës pritet t’i ketë 2 mijë 800 pjesëtarë aktivë.

Rrethi i ushtrisë: Nga lufta për liri në mbrojtje të lirisë