Ekskluzive: Prokuroria rrëzon tezën e policisë se vrasja 61 vjeçares në Gjakovë ishte aksidentale

Dy ditë pas vrasjes së 61 vjeçares në Gjakovë, Prokuroria e Shtetit ka ndërruar qasje përsa i përket kualifikimi të ngjarjes.

Rasti i cili në komunikimet e policisë ishte trajtuar si një vrasje aksidentale është rikualifikuar nga prokuroria si një vrasje e rëndë.

Si rrjedhojë Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Xhafer Shkodra.

“I pandehuri dyshohet se me datë 19 Gusht, ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij Rabe Shkodra e moshës 61 vjeçare, si pasojë e një fjalosje të çastit që i pandehuri kishte pasur me tani të ndjerën”, thuhet në kërkesën për paraburgim.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, thuhet se i pandehuri Xhafer Shkodra me armë ka shtënë një herë në gjoks drejt bashkëshortes së tij dhe pas kësaj është larguar në drejtim të panjohur.

Në seancën paraprake gjyqtari i rastit Shaqir Zika, me aktvendim ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke e cilësuar rastin si vrasje e rëndë.

Teza e prokurorisë është kundërshtuar nga avokati i të pandehurit Agim Haraqia i cili ka thënë se nuk ka prova për të mbështetur dyshimin të cilin e ka ngritur prokuroria.

Dy ditë më parë 61 vjeçarja u gjend e vdekur në tarracën e shtëpisë së saj.

“Dyshimet e para janë se incidenti është shkaktuar nga burri i saj. Deri më tani kemi vetëm dyshime për vrasje aksidentale”, pati  thënë Kristë Gjoka komandant i policisë së Gjakovës.

Më vonë policia kishte lëshuar një komunikatë për media ku kishte vazhduar të pretendonte se ngjarja ishte një aksident

“Vrasje aksidentale në Gjakovë” ishte titulli i komunikatës së policisë të lëshuar pak orë pas ngjarjes. E njëjta sqaronte bazën ku ishte ndërtuar ky dyshim.

“Sipas deklaratave të familjarëve respektivisht fëmijëve të tyre bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, thuhet në komunikatë.

Bashkëshorti i viktimës ishte larguar nga shtëpia dhe më vonë është arrestuar nga policia në lagjen e tij dhe bazuar në deklaratën e tij viktima kishte pasur armën në dorë të cilën ishte duke e pastruar dhe aksidentalisht i ka shkrepur.