EKSKLUZIVE – Pamje kur aeroplani me gra e fëmijë nga Siria ateron në Prishtinë

Një aeroplan i ka sjellë sonte nga Turqia një grup të grave dhe fëmijëve kosovarë të cilët me vite kanë qëndruar në vendet ku po zhvilloheshin luftime në Siri.

KALLXO.com sjell pamje ku shihet aeroplani nga Turqia duke ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

00:47

Tre autobusë janë në pritje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për t’i marrë të kthyerit nga Siria, gra e fëmijë, të cilët kanë ateruar para pak orësh në Kosovë.

Ata kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

00:16

Disa orë më parë një aeroplan ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës më saktësisht në zonën VIP në të cilin, siç ka mësuar KALLXO.com gjenden disa persona të cilët janë duke u rikthyer nga Siria.

Gjithashtu KALLXO.com raportoi më parë se forca të shumta policore, të atyre speciale dhe intervenuese, kanë blinduar hyrjen e aeroportit ku priten të dalin të rikthyerit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa i cili tha se nuk ka asnjë informacion për ardhjen.

“Jo ne nuk kemi asnjë informacion. Nuk e di cka po ndodh në aeroport”, tha Ministri Mustafa për KALLXO.com.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron tash e disa orë në aeroportin e Prishtinës nga ku edhe po raportohet se brenda aerpoetit në zonën VIP kanë hyrë autobusë, autoambulanca e familjarë për të rikthyerit.

https://kallxo.com/foto-forca-policore-ne-aeroport-kthehen-kosovaret-nga-siria/

00:03

Një aeroplan nga Turqia ka ateruar para pak çastesh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përderisa forca të mëdha policore si dhe ekipe mjekësore po qëndrojnë në mjediset e Aeroportit.

Besohet se kjo prani policore është bërë për shkak se aty po pritet ardhja e disa grave dhe fëmijëve të cilët kanë qenë duke qëndruar në Siri gjatë luftës atje, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre nga Kosova.

Më herët KALLXO.com raportoi se forca të shumta policore nga Njësia Speciale kanë rrethuar Aeroportin e Prishtinës, më saktësisht vendi ku gjendet zona VIP.

Policia ende nuk ka dhënë detaje se pse është kjo prani e Policisë në Aeroport.

Në anën tjetër, KALLXO.com mëson se disa persona janë duke u kthyer nga Siria në Kosovë.

Gjithashtu, autoambulanca e autobusë kanë hyrë në Aeroport me qëllim që t’i marrin të rikthyerit.

Policia i ka thënë ekipit të KALLXO.com që po qëndron në Aeroport të mos rrijë para hyrjes VIP.