Ekskluzive: Flet Avokati i të Kërkuarit nga Turqia

Avokati Adem Vokshi bëri thirrje që sistemi juridik i Kosovës të mos ndikohet nga Turqia në vendimmarrje rreth çështjes së ekstradimit të shtetasit turk që u arrestua në Kosovë.

Vokshi, avokat i Ugur Toksoyt, i cili u arrestua nga autoritetet kosovare pas kërkesës nga Republika e Turqisë, tha se ekstradimi i klientit të tij mund të rezultojë me trajtim çnjerëzor ndaj tij në Turqi.

Në një intervistë për KALLXO.com, Vokshi hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës se Toksoy ka lidhje me organizata të shpallura terroriste nga Turqia, duke bërë thirrje që të mos bëhet një ekstradim mbi baza politike.

Ugur Toksoy, i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më datë 27 tetor ndërsa më 28 atij iu caktua masa e paraburgimit prej 40 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Toksoy dyshohet se ka lidhje me lëvizjen opozitare turke të udhëhequr nga Fetullah Gylen.

Kjo lëvizje nga pushteti turk akuzohet për puçin e dështuar në Turqi të vitit të kaluar.

Megjithatë, avokati foli për veprimtarinë e Toksoyt në Kosovë, që sipas tij nuk ka kurrfarë lidhje, as financiare me organizatat e konsideruara terroriste nga shteti i Turqisë.

“Prej vitit 2007 qëndron në Kosovë dhe merret me aktivitete të një OJQ-je ‘Atmosfera’ e cila vepron në mënyrë ligjore në Kosovë dhe veprimtaria e saj për çdo vit i nënshtrohet kontrollit financiar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe të Shërbimeve Publike”, tha avokati.

Vokshi tha se caktimi i masës së paraburgimit që është bazuar mbi kërkesën për ekstradim është i jashtëligjshëm meqë, sipas tij, as kërkesa për ekstradim nuk do duhej të realizohet nëse ka natyrë politike.

“Ne përditë po shikojmë në mjete të informimit se çfarë po ndodh me krejt atë popullatën turke e cila nuk është me bindje të njëjtë sikurse Qeveria. Arsyeja pse unë konsideroj se caktimi i paraburgimit nuk ka pasë kurrfarë baze juridike e aq ma pak ka bazë juridike ekstradimi i Ugur Toksoy në Turqi”, tha Vokshi.

Avokati ka dërguar ankesë ndaj caktimit të paraburgimit në Gjykatën e Apelit ndërsa thotë se nëse nuk miratohet do të shkojnë edhe deri në Gjykatën Supreme.

“Mbajmë shpresë se sistemi juridik i Kosovës nuk do t’i nënshtrohet ndikimit të Turqisë. Turqia është mik i Kosovës, është nga shtetet e para që e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur, mirëpo Turqia duhet me e rujtë atë pavarësi të Kosovës, mos me ndiku që ne me qenë vazal i Turqisë”, tha ai.

Brenda 40 ditëve Gjykata Themelore në Prishtinë do të mbajë seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për ekstradim të Toksoyt.

Deklarata e të Kërkuarit nga Turqia Para Gjykatës në Prishtinë

KALLXO.com ekskluzivisht solli deklaratën e shtetasit turk që u arrestua në Prizren sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë të datës 16 dhe 19 tetor 2017.

 

30 Tetor 2017 - 18:06

Doruntina Baliu 30/10/2017 - 18:06
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend