Seanca për caktimin e masës së sigurisë, të arrestuarit në Gjykatë

Ekskluzive: Çfarë deklaruan katër të arrestuarit para gjykatës?

Dy malazezë, një serb dhe një kosovare, të arrestuar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e 18 korrikut në lagjen “Kalabria” të Prishtinës, u paraqitën para Gjykatës Themelore të Prishtinës, për të dëgjuar pretendimet e Prokurorisë ndaj tyre.

Mario Millosheviq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetas të Malit të Zi, Strahinja Dakoviq shtetas i Serbisë dhe Laureta Zyba, shtetase e Republikës së Kosovës u arrestuan në një operacion të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Mbi të dyshuarit, rëndon pretendimi i Prokurorisë për veprat penale të mbajtjes nën kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve si dhe blerja, posedimi,  shpërndarja dhe shitja paautorizuar e narkotikëve.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar, ka dyshim se disa prej të dyshuarve kanë kryer vepra të rënda penale dhe për këtë arsye masa e paraburgimit është proporcionale.

Prokurori, Armend Hamiti, para gjykatës, kërkesën e tij për caktimin të paraburgimit e arsyetoi duke cekur rrezikun e arratisjes pasi që disa prej të dyshuarve veçse janë në kërkim si pasojë e arratisë.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku pasqyrohen pretendimet e prokurorit, Armend Hamiti, në njërën anë, si dhe të dyshuarve dhe mbrojtësve të tyre në anën tjetër.

I dyshuari i parë sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të prokurorisë, Mario Millosheviq,  ka thënë para gjykatëses të procedurës paraprake se gjërat që janë gjetur janë të tija dhe duke zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Gjatë bastisjes së Policisë së Kosovës, sipas prokurorisë janë gjetur dy armë dhe më shumë së se dy kilogramë marihuanë.

Derisa, Millosheviq, zgjodhi heshtjen, mbrojtësi i tij, Arsim Bilalli kundërshtoi identitetin e paraqitur nga prokuroria duke pretenduar se mbrojtësi i tij është Miroslav Kostiq dhe se fakti se që posedonte armë ishte për shkak të sigurisë së tij pasi i përket një nacionaliteti tjetër.

I dyshuari tjetër, Gjorgje Paviqeviq para gjykatëses së procedurës paraprake, Alltëne Murseli tha se ishte i dënuar me burg në Mal të Zi prej 24 tetorit 2015, por para pesë muajsh ishte dërguar për shërim  dhe para 15 ditësh kishte ikur nga shërimi dhe kishte qenë në Kotorr.

“Unë prej para 4 ditësh kam ardhur në Kosovë tek Mirosllavi të cilin e njoh përmes një shokut tim dhe kam ardhur veç mysafir tek ai dhe këtë mund ta verifikoni në Mal të Zi”, tha Paviqeviq para Gjykatës.

Këto pretendime u mbështetën edhe nga avokati mbrojtës i Paviqeviq i caktuar sipas detyrës zyrtare, Nazim Mehmeti.

Shtetasi serb, Strahinja Dankoviq tha se droga e gjetur tek ai nuk është e tij sepse banesa ishte marrë me qira nga një agjenci.

Avokati i Dankoviqit, Bekim Sylejmani kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, sepse Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme dhe të arsyeshme për ta mbështetur këtë kërkesë.

Shtetasja kosovare, Laureta Zyba, sipas aktvendimit mbi caktimin e paraburgimit,  deklaroi para Gjykatës se Mario Millosheviqin e kishte njohur në një diskotekë dhe se ai ishte njeriu më i mirë që kishte njohur.

Mbrojtësi i Zybës, Alban Arifi, deklaroi se kërkesa e Prokurorisë nuk është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për shkak se mungon dyshimi i bazuar se është kryer vepra penale.

Gjyqtarja Murseli, nuk i gjeti të bazuara pretendimet e të dyshuarve dhe mbrojtësve të tyre duke u caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve. Të dyshuarit mund ta kundërshtojnë me ankesë vendimin për caktimin e paraburgimit.