Ramush Haradinaj e Edi Rama - Foto: REL/AP

Edi Rama ngjashëm me Hashim Thaçin injorojn dorëheqjen e Haradinajt

Në postimin e tij të fundit që ndërlidhet me zhvillimet e fundit në Kosovës Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk e ka përmendur fare dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai në postim ka folur vetëm për ftesat e Gjykatës Speciale por pa thënë asnjë fjalë të mirë apo të keqe për aktin e Ramush Haradinajt i cili gjatë ditës së djeshme dha dorëheqje duke eliminuar mundësinë që kjo gjykatë të intervistoj si të dyshuar një kryeministër të vendit.

Ai sot ka bërë një postim në Twitter rreth kësaj çështje por nuk ka përmendur asnjë emër.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Rama.

Të premten Ramush Haradinaj dha dorëheqje.

“ Dorëhiqem pasi nuk dua të lejoj që Kryeministri i Kosovës të merret në pyetje nga kjo gjykatë” kështi tha dje Haradinaj.

Për aktin e tij në reagime i mangët ka qenë edhe Presidenti Hashim Thaçi. Ai përpos që nuk e ka përshëndetur aktin e Haradinajt gjatë ditës së djeshme vendosi të reagoj fillimisht për ftesën nga specialja për këshilltarin e tij Bislim Zyrapi.

Raportet në mes Ramës dhe Haradinajt së fundmi ishin acaruar pas diskutimeve për opsionet e ndarjes së Kosovës.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.