Edi Rama duke folur në Kuvendin e Shqipërisë më 28 shtator 2017. Foto: Malton Dibra/LSA

Edi Rama: Baza e parë ajrore e NATO-s do të ndërtohet në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

“Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kucovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës.

“Kuçova do të shërbeje njëkohësisht edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky Investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjellë një standart të ri për Forcat tona të Armatosura”.

“Padyshim, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknokogjisë së fundit”, ka thënë Rama.