Senati i UP-se

Edhe Universiteti i Prishtinës ndërpren grevën të hënën

Pas mbledhjes së Senatit të Universitetit të Prishtinës me dyer të mbyllura, Prorektori për Kërkime Shkencore tha se arsyeja kryesore pse ky takim u mbyll për publikun është ‘ndjeshmëria e çështjeve’ që duhej të diskutoheshin sa i përket vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Prorektori Faton Berisha ka thënë se diskutimi i kësaj mbledhje të Senatit me dyer të mbyllura është bërë me kërkesën e Këshillit Drejtues të UP-së.

Ai theksoi se arsyeja kryesore e mbylljes së kësaj mbledhje ishte ‘çështjet delikate që do të diskutoheshin’.

“Meqë çështja që duhej shqyrtuar ishte goxha e ndjeshme sepse siç e dini kishte të bënte me mosakreditimin e programeve mësimore nga Këshilli Shtetëror për Akreditim e pastaj me prononcimin e Konferencës së Rektorëve. Senati pa të udhës që kjo mbledhje të mbahet pa prezencën e mediave.”, ka thënë Berisha.

Sa i përket grevës së SBAShK-ut të cilën Universiteti i Prishtinës e kishte mbështetur, prorektori Berisha tha se që nga dita e hënë do të vazhdojë zhvillimi i të gjitha aktiviteteve akademike dhe administrative në UP.

“Jemi në kohën e provimeve andaj do të vazhdojnë të mbahen dhe kjo është çështja e aktiviteteve mësimore. Unë kam shpresë që Agjencioni për Akreditim do të reflektojë dhe që të në ardhmen, parimin e vetëm sa i përket programeve studimore do ta ketë parimin e cilësisë dhe këtë ta vlerësojë në mënyrë profesionale.“ ka shtuar tutje ai.

Sa i përket mënyrës së si pritet të zhvillohet greva e përgjithshme e cila është paralajmëruar nga Konferenca e Rektorëve, ky prorektor tha se njoftimi për grevë ishte qëndrim por nuk ishte vendim që do të ekzekutohet.

“Konferenca e Rektorëve kishte qëndrime por nuk është organ ekzekutiv që të marrë vendime. Vendimi ekzekutiv do të jetë që aktivitetet mësimore të vazhdojnë dhe qëndrimi i Senatit si organ më i lartë akademik në UP është kërkesa nga Këshilli i Akreditimit që të rivlerësojë vendimin e vetë”, përfundoi prorektori Berisha.

https://kallxo.com/rektori-marjan-dema-e-mbyll-mbledhjen-e-senatit/

https://kallxo.com/dugolli-ka-pasur-tendence-favorizimi-te-privateve/