Enver Hasani

Edhe Supremja Vërteton Pafajësinë e Enver Hasanit

Enver Hasani ka dalë i pafajshëm edhe në instancën e tretë të drejtësisë në Kosovë- Gjykatën Supreme.

Kjo gjykatë ka vërtetuar pafajësinë e Hasanit duke  refuzuar  mjetin e jashtëzakonshëm juridik të ushtruar nga prokuroria kundër vendimit të Gjykatës së Apelit që kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Hasanit.

Në janar të këtij viti, Gjykata e Apelit njoftoi se  në seancën e kolegjit të mbajtur më 22.12.2016, kishte aprovuar si të bazuar ankesën e  të pandehurit Enver Hasani, ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 04 nëntor 2016.

Kundër vendimit të Apelit, prokuroria kishte ushtruar mjet të jashtëzakonshëm juridik në Gjykatën Supreme të Kosovës.

http://kallxo.com/prokurori-ta-kundershtoje-lirimin-e-enver-hasanit/

Aktakuza që Enver Hasanin e akuzonte për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim ishte ngritur në janar të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Hasani e kishte kundërshtuar aktakuzën ndaj tij duke e quajtur hakmarrje ordinere.

http://kallxo.com/enver-hasani-aktakuza-hakmarrje-ordinere/

http://kallxo.com/enver-hasanin-e-shpeton-gjykata-e-apelit/

Për aktakuzën ndaj Hasanit ishte diskutuar edhe në Emisionin “Jeta në Kosovë” në janar të vitit 2016.

Enver Hasani është duke u gjykuar edhe në një proces tjetër për mashtrim në lidhje me periudhën kur ishte rektor i Universitetit të Prishtinës.

http://kallxo.com/prokurores-nuk-pelqen-superekspertiza-ne-gjykimin-e-enver-hasanit/