Edhe Prizreni vendos për kompensimin e orëve mësimore

Komuna e Prizrenit ka vendosur në lidhje me formën e kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës trejavëshe të mësimdhënësve.

Drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Skender Susuri tha për KALLXO.com se zëvendësimi i orëve do të bëhet në ditën e shtunë.

“Ne kemi kërkuar nga drejtorët e shkollave që të bëjnë planin dinamik për kompensimin e orëve duke kërkuar që të fillojnë nga e shtuna. Shpresojmë që të mos kemi telashe, janë nja 20 shkolla që i kanë filluar 3-4 ditë më herët kompensimet por një plan specifik do ta bëjmë deri në fund të javës DKA-ja kur t’i merr planet e gjitha shkollave”, tha ai.

Përveç Prizrenit edhe komuna e Pejës, Prishtinës dhe Obiliqit kanë filluar që të gjejnë mënyra për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur më 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës trejavëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar drejtorive komunale të Arsimit.

E për këtë Këshilli i Prindërve është shprehur skeptik për aftësinë e DKA-ve për kompensimin e tyre.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva trejavëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.