Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijancic, Foto: 21Media

Edhe pas Samitit të Berlinit, BE insiston për pezullimin e taksës 100 për qind

Edhe pas takimit të shumëpërfolur të Berlinit, Bashkimi Europian sërish po kërkon nga Kosova që të pezullojë taksën ndaj produkteve serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Serbinë.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Kocijançiq gjithashtu ka thënë se Mogherini do të marrë pjesë edhe në takimin rajonal të liderëve të Ballkanit që do të mbahet më 8 dhe 9 maj të këtij viti, në Tiranë.

“Përfaqësuesja e lartë/nënkryetarja Federica Mogherini do të marrë pjesë në takimin e liderëve të ‘Brdo Brijuni’ në Tiranë (8 dhe 9 maj). Ajo është e gatshme të rishqyrtojë dialogun. Është gjithashtu e qartë se Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë tarifën për të lejuar rifillimin e shpejtë të dialogut”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Kocijançiq ka shtuar se Mogherini mbrëmë ka mbajtur një takim tjetër në Berlin.

“Përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini mbajti mbrëmë një takim në Berlin me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, Slloveninë dhe Kroacinë, organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron”, vijon përgjigjja përmes postës elektronike.

Sipas Kocijançiq, takimi ofroi një mundësi për një shkëmbim informal të pikëpamjeve  dhe se ky takim ishte i hapur dhe i sinqertë.

“Takimi gjithashtu dha një sinjal të rëndësishëm të angazhimit nga të dy shtetet anëtare, Gjermania dhe Franca, së bashku me të tjerët, për të mbështetur më tej dhe me më shumë përkushtim BE të lehtësojë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, vazhdon përgjigjja.

Zyrtarja e BE-së ndër të tjera ka përmendur takimet dhe diskutimet e Samitit të Berlinit që u mbajt këtë javë.

“Në Berlin, përfaqësuesja e lartë Mogherini mbajti gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe me udhëheqësit e rajonit. Në këto diskutime dypalëshe, përfaqësuesja e lartë dhe krerët diskutuan situatën në rajon dhe rikonfirmuan rëndësinë dhe angazhimin ndaj bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimit, ku marrëveshja e Prespës paraqiti një shembull historik. Përveç kësaj, ata diskutuan gjithashtu përparimin dhe perspektivat e ardhshme në rrugët e tyre përkatëse drejt BE”, thuhet në përgjigjen e Kocijançiq për KALLXO.com.

BE  thotë se kontaktet e tyre me palët vazhdojnë.

“Ne mirëpresim çdo angazhim në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE, duke përfshirë takimin e mundshëm më tej. Çdo takim në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE është i dobishëm dhe mund të jetë një kontribut, një mbështetje, por dialogu është ai i cili lehtësohet nga BE-ja”, përfundoi zyrtarja europiane.

Në anën tjetër, liderët e institucioneve të Kosovës të hënën në Berlin janë shprehur këmbëngulës për mosheqjen e taksës.

Presidenti Hashim Thaçi është shprehur se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushte, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se vetëm marrëveshja për njohje i zgjidh problemet e tjera.