Konvikti nr. 8 i Qendrës së Studentëve të UP-së - Foto: KALLXO.com

Edhe një Konvikt për Studentët në Prishtinë

Studentët e Universitetit të Prishtinës nga sot kanë edhe një konvikt më shumë.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së bashku me drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, të hënën kanë prerë shiritin përurues të Konviktin numër 8.

Drejtori i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Fatmir Sfishta tha se në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, studentëve po u jepet një dhuratë e tillë që sipas tij ka vlerën e ndërtimit 1.5 milion euro.

“Kapacitetet e këtij konvikti janë 155 dhoma me 305 shtretër, biblioteka, leximore, salla për rekreacion etj. Me shtimin e këtyre kapaciteteve numri i përgjithshëm i studentëve banues arrin në 4 mijë. Sidoqoftë kjo nuk i plotëson kërkesat në rritje për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve”, tha Sfishta.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi tha se është një angazhim shtesë që të sigurohet sa më shumë infrastruktura dhe kapacitetet shtesë për studentët në Kosovë.

“Studentët tanë vërtetë e meritojnë të kenë kushte banimi, të kenë shërbime sa më të mira në mënyrë që t’u mbetet vetëm një obligim, obligimi më i rëndësishëm i tyre, ai që të bëjë studime të mira, të arrijnë suksese në studime”, tha Bytyqi.

Ministri Bytyqi tha se është i vetëdijshëm që ky konvikt nuk i përmbush të gjitha nevojat për studentët e Universitetit të Prishtinës që janë banues të Qendrës së Studentëve.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi dhe përfaqësues të tjerë.

Konvikti numër 8 ka gjithsej 155 dhoma. Secila dhomë ka dy shtretër, tavolinë punë, nxehje qendrore dhe banjë që mund të shfrytëzohet nga katër studentë.