FOTO: Atdhe Mulla

Edhe komunat e Mitrovicës dhe Rahovecit bëjnë thirrje për fillimin e mësimit

Thirrjes për ndërprerjen e grevës në arsim dhe fillimin e procesit mësimor nesër i është bashkuar edhe Komuna e Mitrovicës.

Siç njofton Komuna në një komunikatë, drejtori i Arsimit, Iset Beka, në konsultim me kryetarin e Komunës, Agim Bahtiri dhe organet tjera relevante, pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, Komuna e Mitrovicës respektivisht Drejtoria e Arsimit u bën thirrje të gjithë mësimëdhënësve për fillimin e mësimit në të gjitha institucionet shkollore në Mitrovicë.

Edhe Komuna e Rahovecit u ka bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve që pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësit, nga nesër t’i rikthehen procesit mësimor “me qëllim që nxënësit të mos humbasin orët e mësimit dhe të mos humbasim asnjë sekondë të vlefshme për fëmijët dhe rrjedhimisht të ardhmen tonë”.

“Jemi në koordinim të plotë me DKA-në dhe me drejtorët e shkollave, të cilët janë të gatshëm që procesi mësimor të rifillojë nesër sipas orarit të rregullt”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryetari Smajl Latifi.