Kryeministri Haradinaj dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt në Ditën gjermane të bashkëpunimit - Foto: ZKM

Edhe Gjermania reagon ndaj shkeljeve të pretenduara nga AKI dhe MPB gjatë dëbimit të ‘gylenistëve’

Pas reagimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe përkrahjes së saj nga Ambasada britanike, ka ardhur edhe reagimi i ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt, lidhur me shkeljet ligjore të konstatuara nga Komisioni hetimor parlamentar të kryera nga AKI, MBP dhe institucione të tjera gjatë deportimit të 6 shtetasve turq në mars të vitit të kaluar.

Diplomati gjerman në Prishtinë ka mbështetur reagimin e dy ambasadave në Kosovë, ndërsa ka kërkuar që t’i mundësohet Komisionit parlamentar që t’i adresojë gjetjet.

“Sundimi i ligjit është kyç: Prandaj, një komisioni parlamentar gjithashtu duhet t’i mundësohet t’i paraqesë gjetjet e tij”, ka shkruar Christian Heldt.

Më herët reagim pati edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Ndërkaq, sot gjatë ditës Ambasada amerikane ka reaguar për 31 shkeljet ligjore të cilat, sipas Komisionit hetimor parlamentar, i ka bërë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar.

“Kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin,  pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij”, thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane.

Sipas Ambasadës amerikane, janë shqetësuese shkeljet e ligjore të gjetura nga komisioni hetimor për ndriçimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

https://kallxo.com/ambasada-amerikane-ngre-dyshime-mbi-aki-ne-pas-raportimit-per-gylenistet/

www.kallxo.com