Një nga mbledhjet e Bordit të ZRrE-së, Foto: Kallxo.com

Edhe disa hapa deri në njohjen ndërkombëtare të kufijve energjetikë

KOSTT ka marrë një opinion pozitiv nga Bordi Rregullativ i Komunitetit të Energjisë (ECRB) për certifikimin si Operator i Sistemit të Transmetimit.

Pas këtij opinioni pozitiv, KOSTT është në pritje të mendimit përfundimtar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Vetëm kur Sekretariati të nxjerr mendimin pozitiv, ZRrE përmes një vendimi përfundimtar e certifikon KOSTT-it si Operator i Sistemit të Transmetimit.

Ky certifikim nënkupton njohje të kufijve energjetik me të gjitha shtetet e rajonit, si dhe operimi i KOSTT-i në mënyrë të pavarur.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, Ilir Shala ka thënë për Kallxo.com se mendimi pozitiv për KOSTT-in si operator i sistemit të transmisionit (OST) është rezultat i implementimit të Pakos së Tretë legjislative të BE-së për sektorin e energjisë të cilat janë bërë pjesë e ligjeve të energjisë në Kosovë që janë miratuar në vitin 2016.

“Pas certifikimit, KOSTT plotëson parakushtet për anëtarësim në ENTSO-E”, është shprehur Shala për Kallxo.com.

Gjatë mbledhjes së parë të vitit 2019, të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) u tha që opinioni pozitiv për certifikimin e KOSTT nga ECRB-ja, çon drejt legjitimimit të kufijve energjetik të KOSTT-it.

U.D i kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova tha se Bordi ka kohë dy muaj deri në nxjerrjen e një vendimi final në lidhje me certifikimin e KOSTT.

“Të premten ka arritur opinioni pozitiv nga Bordi Rregullativ i Komunitetit të Energjisë (ECRB) për vendimin që e kemi lëshuar për certifikimin e KOSTT. Ne kemi afat që brenda dy muajve ta lëshojmë vendimin final. Ky proces ende nuk ka përfunduar. Por ky është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë Janova gjatë mbledhjes.

Anëtari i Bordit të ZRrE-së, Selmani Hoti theksoi se nuk duhet të vonohen deri në nxjerrjen e një vendimi final për ta përmbyllur procesin e certifikimit të KOSTT-it.

“Lajm i mirë për ZRrE-në dhe për vendin tonë. Nuk duhet të shkoj shumë gjatë deri te vendimi final dhe të përmbyllet ky proces”, theksoi Hoti.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRrE-së, Rifat Ajvazi në mbledhjen e Bordit të KOSTT potencoi se certifikimi i KOSTT-it legjitimon kufijtë energjetik të Kosovës.

“Ka qenë një proces i komplikuar, i legjitimon kufijtë energjetik të Kosovës. Presim vendimin e fundit nga Sekretariati, ato përfshihen në vendimin final të ZRrE-së dhe ky proces përfundon”, tha Ajvazi.

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte thënë se certifikimi i KOSTT-it nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka rëndësi për njohjen nga Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit Transmetues të Energjisë Elektrike (ENTSO-E) si parakusht për anëtarësim në ENTSO-E.

“Kosova po ecë sigurt drejt pavarësisë së plotë dhe qëndrueshmërisë energjetike. Tash e tutje KOSTT-it do t’i njihen ndërkombëtarisht të gjitha asetet me të cilat disponon”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Rëndësia e certifikimit të KOSTT si OST dhe njohja e atij certifikimi nga Sekretariati si institucion simotër i Komisionit Evropian, ka rëndësi për njohjen e KOSTT si OST nga ENTSO-E. Kjo është një ndër parakushtet themelore për anëtarësim në ENTSO-E, dhe institucionet tjera evropiane.

Po ashtu kjo do t’i mundësonte KOSTT-it operimin e pavarur nga Serbia.

“Në anën tjetër njohja e kapaciteteve teknike, operative, financiare, menaxheriale do të eliminonte pretendimet e Serbisë në forume të ndryshme se KOSTT nuk i ka këto kapacitete për të operuar dhe menaxhuar sistemin elektroenergjetik të Kosovës”, ka theksuar Ilir Shala për Kallxo.com.

Shala më tej ka thënë se KOSTT së bashku me palët e interesit në Kosovë dhe jashtë është duke punuar për eliminimin e pengesave të cilat është duke i bërë Serbia për operimin e KOSTT si Zonë/Bllok i pavarur rregullues, e të cilat kanë të bëjnë me licencimin e kompanisë Elektrosever – sipas marrëveshjes së Brukselit për energji.

KOSTT ka për synim anëtarësimin në ENTSO-E, rrjet i cili përfaqëson 43 operatorë të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike nga 36 vende në Evropë. Anëtarësimin e KOSTT-it në rrjetin europian vazhdimisht e ka penguar Serbia.

Serbia ka qenë pengesë edhe për implementimin e interkoneksionit 400 kilovoltësh me Shqipërinë edhe pse kjo ka qenë njëra nga marrëveshjet e arritura në Bruksel

Në mbledhjen e parë të Bordit të ZRrE-së për vitin 2019 ishin 20 pika në rend të ditës. Si pikë e rendit të ditës u shqyrtua dhe u miratua edhe plani i punës 2019 – 2021, i cili paraprakisht u prezantua para Bordit nga Kryeshefi Ekzekutiv, Petrit Pepaj.

Në rend të ditës ishte edhe shqyrtimi i procedurës për identifikimin dhe parandalimin e shfrytëzimit të paautorizuar të energjisë elektrike. Por U.D kryesuesi i Bordit, Arsim Janova propozoi që kjo pikë të shtyhej me kërkesë të KEDS-it.

Po ashtu u miratuan edhe kërkesat e KOSTT për amandamentimin e Kodit të Standardeve Elektrike dhe kërkesën e Derogime.

Nga pika 6 deri në pikën 16, është bërë shqyrtimi i kërkesave nga subjekte të ndryshme për ndërtimin e gjeneratorëve me kapacitete deri në 3 megawat. Të gjitha këto kërkesa u miratuan njëzëri nga Bordi.

Në këtë mbledhje u miratua edhe kërkesa e KOSTT e cila kishte ardhur në fund të vitit 2018 në lidhje me emërimin e kryesuesit të Komiteti për Qeverisjen e Kodeve. KOSTT e kishte propozuar Labinot Gashin për këtë pozitë. Bordi i ZRrE-së e miratoi këtë kërkesë të KOSTT-it.