Edhe Apeli Shfajëson Fatmir Limajn në Rastin “Kleçka’

Gjykata e Apelit ka marrë vendim lirues ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për rastin “Kleçka”.

Sipas aktgjykimit të datës 26 janar 2016 është refuzuar si e pabazuar ankesa e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe është konfirmuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës i datës 17 shtator 2013.

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorisë Speciale të datës 25 korrik 2011, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarët e tij akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.

Më 29 nëntor 2013, prokurori i Prokurorisë Speciale kishte parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 17 shtator 2013, përmes të cilit të dhjetë të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm.

Limaj me Shokë të Pafajshëm për Kleçkën (TV)

Përveç Limajt, pjesë e aktakuzës ishin edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Ky nuk është procesi i vetëm gjyqësor për krime lufte i zhvilluar kundër Fatmir Limajt.

Ish-komandant “Çeliku” ishte shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

I arrestuar më 18 shkurt 2003, Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm rreth akuzave për krime lufte në të ashtuquajturin kamp-burg i Llapushnikut në nëntor të vitit 2005. Gjykata e Apelit në Hagë e kishte shpallur po ashtu të pafajshëm në shtator 2007.

Aktualisht, Fatmir Limaj është duke u gjykuar për akuzat shpërdorim detyre dhe krim të organizuar në kohën sa drejtonte ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

http://kallxo.com/zyrtarja-e-ministrise-ne-gjykimin-e-limajt/

Ndërsa, të enjten, Limaj është parë të paraqitet në Prokurorinë Speciale, ku, sipas tij, kishte dhënë një deklaratë me të cilën shpresonte se do t’u ndihmojë organeve të drejtësisë rreth një krimi të kryer në kohën e luftës.

http://kallxo.com/limaj-dhashe-deklarate-per-nje-krim-te-kohes-se-luftes/