EdGuard: S’ka ndonjë ndryshim në tekstet shkollore, ministri mos t’i miratojë

Në tekstet e reja shkollore nuk ka ndonjë përmirësim substancial dhe ka tekste që janë shumë të përsëritura.

Kështu ka thënë sot drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja në një konferencë për media, i cili shtoi se në këtë vlerësim kanë ardhur pasi që kanë vëzhguar procesin e këtyre teksteve.

“Është e pa tolerueshme që të kthehemi me tekste të vjetra dhe kanë substanca të vjetra, kërkesa jonë është që Ministri i Arsimit të mos merr vendime të ngutshme dhe të hap për diskutim këtë çështje, të nxisim debat me të gjithë akterët”, tha Qehaja.

Qehaja poashtu tha se në këtë proces të përpilimit të teksteve ka pasur dorëheqje të recensentëve të jashtëm si dhe profesionet e tyre nuk janë të duhura.

“Shumë shqetësuese është edhe puna e recensentëve sepse në profilet e tyre 52 % përqind janë mësimdhënës 32% janë profesor dhe vetëm 1 % janë gjuhëtar e psikolog. Këto shifra na tregojnë që mungesa e gjuhëtarëve  e bënë të paplotësueshme standardin e teksteve”, theksoi ai.

Ai u shpreh edhe kundër pilotimit të këtyre teksteve.

“Në listën përfundimtare MAShT thirret në atë se do të pilotohen mirëpo s’ka bazë ligjore për këtë dhe si e tillë është e jashtëligjshme sepse s’munden me fut tekste shkollore jo cilësore dhe pastaj të testohen në gjenerata”, tha drejtori i Institutit EdGuard.

“Shpresojmë që MAShT të reflektojë dhe të mos i miratojë për votim ato tekste. Është e pa tolerueshme që të kthehemi me tekste të vjetra dhe kanë substanca të vjetra, andaj kërkesa jonë është që ministri Bytyqi të mos merrë vendim të ngutshëm”, shtoi tutje Qehaja.

Ndërsa, hulumtuesja në këtë organizatë, Valza Mjeku tha se do të jetë shumë situatë e keqe për arsimin që tekstet e reja të mos dallojnë nga cilësia dhe substance e teksteve të mëparshme.

“Vlerësojmë që mangësitë e evidentuara në proces kanë shthurur qëllimin parësorë të Ministrisë për një proces transparent dhe tekste të mirëfillta, sikurse që këto mangësi tashmë kanë dëmtuar legjitimitetin e tërë procesit. Kjo besojmë që do të përshkallëzohet nëse këto tekste eventualisht miratohen për botim”, tha Mjeku.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë(MAShT), ka publikuar listën përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët do të përgatisin tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11.

Sipas kësaj liste për librat e nxënësëve që fillojnë vitin e ri shkollor 2019/2020 do të përgatiten kryesisht nga shtëpia botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Kosto e teksteve mbi 74 mijë euro

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Ndërsa sipas zëdhënësit të MAShT-it, Valmir Gashi, secili recensent do të paguhet me shumën prej 500 eurosh.

“Çështja e pagesave të recensentëve është në proces, ku secili nga ta do të paguhet nga 500 euro, konform Udhëzimit Administrativ për Recensentët”, kishte thënë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi më 25 prill të këtij viti kishte thënë se asnjë libër i ri shkollor s’mund të kalojë nëse nuk i plotëson standardet.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Historiku

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të  gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë, në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të lëndëve Biologji, Edukatë Qytetare, Histori, Psikologji dhe Sociologji të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

KALLXO.com pati raportuar për përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri Njeriu dhe Natyra të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se shkruhet që zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.